Kukësi në rrezik, “ngrin” gjatë nëntorit dhe e shikon përballjen me Besën si formalitet
Faza e parë e kampi onatit të sezonit 2025- 2026 ka rezultuar katastrofike për Kukësin, që në 11 javë ka grumbulluar vetëm 5 pikë. Ecuria mund të kishte qenë edhe më e rëndë, nëse verilindorët nuk do të kishin marrë fitoren 2-1 ndaj Apolonisë në startin e sezonit.

Kukësi është “ngrirë” ende pa hyrë dimri, gjë që e pasqyron qartë renditja, ku blutë mbyllin klasifikimin me 5 pikë dhe golavarazh negativ, 7-21. Në javët e fazës së parë Kukësi ka të gjithë parametrat negativë dhe asnjë ekip tjetër nuk ka bërë më keq se skuadra e drejtuar së fundmi nga trajneri Bledar Devolli. Kukësi është ekipi me më pak fitore (vetëm 1), si dhe ai me më shumë humbje në këtë fazë, plot tetë disfata.
Skuadra ka si sulmin, ashtu edhe mbrojtjen më të dobët të kampionatit, me vetëm 7 gola të shënuar në 11 javë (0.63 gola për ndeshje) dhe 21 të pësuar (mesatare 1.9 gola për ndeshje). Me këtë radiografi të zymtë, Kukësi del “i ftohur” në çdo drejtim dhe shfaqet si kandidati kryesor për të rënë nga Kategoria e Parë në të Dytën, një goditje që do ta kthente klubin 15 vite pas. Kjo javë e gjen skuadrën e Devollit në dy transferta: fillimisht në Kupë, ku përballen me Besën në Kavajë, ndërsa të dielën nisin fazën e dytë në Fier, ndaj Apolonisë.
Gjithsesi, Kupa shihet vetëm si një test për verilindorët, të cilët nuk kanë ambicie në këtë kompeticion. Prioritet mbetet kampionati, ku synohet sigurimi i mbijetesës në Kategorinë e Parë. Për këtë arsye, nuk pritet shumë nga ndeshja e nesërme në Kavajë, madje ky takim mund të shërbejë si një provë e fundit para “finales” me Apoloninë në javën e 12-të të kampionatit. Thuhet “finale” sepse për Kukësin të gjitha ndeshjet e mbetura do të jenë të tilla, duke qenë se vetëm me grumbullimin e sa më shumë pikëve mund të shmanget rënia dhe të shpëtohet sezoni. Në Kupë nuk përjashtohet mundësia që trajneri Devolli të përdorë rotacion të thkesuar ndaj Besës, në mënyrë që titullarët t’i ketë pa probleme për të dielën në Fier.
PANORAMASPORT.AL













