Kryeqyteti i kuq pas fitores së Partizanit me Tiranën? Dinamo e “ngjyros” me blu
Partizani triumfoi në derbin e fundit të kryeqytetit ndaj Tiranës me rezultatin 2-0. Të kuqtë i gëzohen një bilanci pozitiv ndaj bardhebluve në këtë sezon teksa në tre përballje me ta, ia kanë dalë që të fitojnë dy dhe të humbasin vetëm një, të parin që u zhvillua në fazën e parë të kampionatit.

Megjithatë, kryeqyteti pavarësisht pretendimeve për të qenë i veshur me ngjyrat e kuqe pas derbit të fundit, duket se mbetet blu, dhe kjo jo prej Tiranës, por prej Dinamos. “Nëndetësja blu”, është ajo që ka bilancin më pozitiv mes treshes kryeqytetase duke qenë dominuese si ndaj Partizanit ashtu edhe ndaj Tiranës. Dinamo, e trajnerit Ilir Daja ia ka dalë që t’i mposhtë të kuqtë në dy ndeshjet e para të këtij sezoni me shifrat 2-0 dhe 1-3.
Nga ana tjetër, Tirana ka mundur t’i shkëpusë Dinamos vetëm një pikë në barazimin 1-1 të fazës së tretë, ndërsa është mposhtur në fazën e parë me rezultatin 1-2, ndërsa në fazën e dytë, bardheblutë u shkatërruan në “Air Albania” me shifrat 6-2, e po ashtu Tirana u mposht nga Dinamo edhe në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me rezultatin 0-2.
Në këtë formë, triumfuesit e vërtetë të kryeqytetit deri më tani rezultojnë të jenë dinamovitët duke mbajtur kështu fronin e duke ngjyrosur blu kryeqytetin, teksa mbetet për t’u parë se si do të përfundojë përballja e fazës së tretë mes Dinamos dhe Partizanit e programuar për t’u zhvilluar më datë tetë mars, ndërsa të tre këto skuadra do të përballen edhe njëherë tjetër në kampionat.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













