Krizë pa fund tek Apolonia,16 ndeshje pa fitore dhe fantazma e rënies. Orelesi: Mbijetojmë, besoj te grupi
Skuadra fierake duket se ka harruar shijen e fitores. Me barazimin në Peshkopi, Apolonia ka shkuar në plot 4 muaj e 8 ditë pa fitore, duke thelluar krizën që po e shoqëron prej kohësh. Bilanci negativ ka arritur në 16 ndeshje radhazi pa fitore, ndërsa suksesi i fundit daton më 3 dhjetor, kur mundën Besën.

Megjithatë, një pikë në transfertën e vështirë ndaj Korabit mund të konsiderohet e pranueshme, sidomos duke parë rrethanat e ndeshjes. Apolonia luajti për rreth 23 minuta me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të 20-vjeçarit nigerian Folorunsho në minutën e 67-të. Kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i kampionatit, skuadra fierake rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë, një skenar që do të ishte një goditje e rëndë për tifozët.
Pas barazimit pa gola, zëvendëstrajneri i Apolonisë, Nuredin Orelesi, deklaroi për “Panorama Sport”: “Ishte një pikë mjaft e vlefshme, pasi e morëm në një fushë të vështirë dhe me një lojtar më pak. Sigurisht që nuk ishte ky objektivi ynë, pasi kishim ardhur për fitore, por duke parë vështirësitë e ndeshjes, është një rezultat i pranueshëm. Tani duhet të kthehemi në shtëpi dhe të punojmë për t’u rikthyer te fitorja. Besoj se me këtë grup lojtarësh, Apolonia do të arrijë të qëndrojë në kategori”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













