Kriza e sulmit të Egnatias, vetëm 10 gola në 11 ndeshje
Në Rrogozhinë, sinjalet e alarmit janë ndezur. Egnatia, skuadra kampione në fuqi, po përballet me një pengesë serioze që po i kushton shtrenjtë në këtë fillim kampionati, mungesën e golave.
Nëse sezonin e kaluar spikaste për efikasitet dhe organizim të lartë në fazën sulmuese, këtë herë skuadra e Edlir Tetovës duket se po has vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën drejt rrjetës. Statistikat janë më të qarta se kurrë. Vetëm 10 gola të shënuar në 11 ndeshje, një mesatare më pak se një gol për takim. Për një ekip që synon të mbrojë titullin kampion, ky është tregues shqetësues. Edhe më alarmante është fakti se në pesë ndeshje deri më tani, Egnatia nuk ka arritur të realizojë asnjë gol, çka tregon për një krizë të thellë në produktivitetin e repartit ofensiv.
RRËNJËT E PROBLEMIT – Egnatia e këtij sezoni duket se nuk ka ende një bosht të qartë në fazën e fundit të aksioneve. Lëvizjet e shpeshta në formacion dhe rotacionet në repartin e avancuar nuk kanë dhënë frytet e pritura. Asnjë prej sulmuesve nuk ka arritur të spikasë, ndërsa shpërndarja e golave tregon më shumë për ndërhyrjet e mesfushorëve apo goditjet standarde sesa për një sulm të ndërtuar me identitet. Në shumë ndeshje, skuadra ka dominuar territorialisht dhe ka krijuar raste, por mungesa e qartësisë në finalizim e ka penguar të konkretizojë. Në kushte të tilla, çdo gabim në mbrojtje është ndëshkuar, duke e vënë Egnatian shpesh në pozitë ndjekëse.
RIKTHIMI I EFIKASITETIT – Në ditët në vijim, pritet që ky aspekt të jetë pika kryesore e përqendrimit në stërvitje për trajnerin Edlir Tetova. Durrsaku ka arritur të ruajë një organizim solid në prapavijë, por tani duhet të gjejë mënyrën për të zhbllokuar skuadrën përpara. Zgjidhja mund të vijë përmes ndryshimeve taktike, por edhe me përforcimin e psikologjisë te lojtarët ofensivë, që shpesh duken të pasigurt në momentet vendimtare. Në këtë fazë të sezonit, më shumë se kurrë, kampionët kanë nevojë për një rikthim të instinktit fitues, atij që i udhëhoqi drejt trofefe historikë në dy sezonet e fundit. Kriza e golit është një pengesë e tejkalueshme, por vetëm nëse gjejnë shpejt identitetin që i ka karakterizuar: konkretësi, ritëm dhe vendosmëri para portës. Mbetet për t’u parë sesa do të zgjidhet ky problem, në një kohë që kampionati sa vjen edhe bëhet më i vështirë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













