Kërnaja si “makth” për Morieron, shifrat flasin në favor të Partizanit para sfidës me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2026 | 22:43

Kërnaja si “makth” për Morieron, shifrat flasin në favor të Partizanit para sfidës me Flamurtarin

Pas triumfit në derbi ndaj Tiranës, Partizani kthen vëmendjen tashmë nga ndeshja e radhës në kampionat, ajo ndaj Flamurtarit në transfertë. Të kuqtë synojnë vazhdimësinë e rezultateve për të koleksionuar triumfin e tretë radhazi në kampionat ndërsa nëse do të përfshinim edhe Kupën, një fitore në Vlorë do të ishte e katërta radhazi për të besuarit e trajnerit Oltijon Kërnaja.

partizani

Dhe, në fakt shanset janë pasi statistikat e këtij sezoni në përballjet direkte mes dy skuadrave flasin për të kuqtë. Kryeqytetasit i kanë mposhtur vlonjatët në të dyja rastet e mëparshme gjatë këtij sezoni, 0-1 në ndeshjen e fazës së parë ku debutoi edhe tekniku Kërnaja, e më pas 2-1 në shtëpinë e tyre, “Arena e Demave”, teksa janë e vetmja skuadër e kampionatit të cilët “Demat” i kanë marrë pikë maksimale deri në këtë pikë të sezonit.

Mbetet për t’u parë tashmë se si do të përfundojë ndeshja e tretë mes tyre duke qenë se të dyja ekipet, për objektiva të ndryshme, i kanë pikët jetësore. Pas fitores me Tiranën, Partizani është vetëm tre pikë larg Dinamos së vendit të katërt dhe kërkon që të vijojë me ushtrimin e presionit ndaj të kuqve për të përmbushur objektivin e tyre për t’u klaisifikuar në katërshe si pjesë e Final 4.

Nga ana tjetër, Flamurtari është i përfshirë nga “ethet” e mbijetesës dhe për më tepër nuk njeh fitore në katër ndeshjet e fundit duke u renditur e parafundit me 20 pikë, po aq sa edhe Bylisi i vendit të fundit dhe vetëm një pikë poshtë Tiranës së vendit të tetë. Ndaj, në stadiumin “Flamurtari” pritet një ndeshje mjaft e luftuar për pikë që tashmë fillojnë e të vlejnë sa një sezon.

Për këtë sfidë, Partizani nuk do të ketë në dispozicion Paulo Buxhelajn si dhe Arafat Dumbia, të dy të ndëshkuar me kartonë të verdhë teksa plotësuan numrin katër që i lë “pushim” për këtë fundjavë. Nga ana tjetër, situata e të dëmtuarve është në përmirësim e sipër te Partizani pasi Marcelino Preka është tashmë pjesë e skuadrës, e po ashtu për këtë ndeshje pritet të rikthehet në dispozicion edhe David Fadairo ndërsa duke arritur gjendjen optimale është edhe Keko.

PANORAMASPORT.AL