Klubet e Superiores, dështim me emrat “big” të kampionatit. Ja gabimet e ekipeve të mëdha
Çudirat e klubeve shqiptare nuk kanë të sosur. Në fillim të nisjes së merkatos për sezonin 2026-2027, veç ikjeve masive të futbollistëve(77) ajo që bie në sy është fakti se nga klubet shqiptare janë larguar emrat më të mirë të Kategorisë Superiore. Klube si Dinamo, Flamurtari apo edhe të tjerë nuk ia kanë dalë që të mbajnë elementët më të mirë në ekip, duke treguar edhe njëherë se nuk kanë një strategji dhe kanë dështuar e vazhdojnë të dështojnë. Këtë e tregojnë shifrat.

“EPIDEMIA” Nga 20 lojtarët më të vlerësuar të Superiores nga “Sofascore”, tashmë 10 prej tyre janë ndarë me skuadrat e tyre të vjetshme, ndërsa disa nuk janë më pjesë e Kategorisë Superiore. Në krye është Dinamo, që nuk mbajti dot yjet e saj. Një dështim më vete. Më pas klube si Vllaznia, e me radhë. Të larguar janë Dejvi Bregu, Karim Lokili, Xhonatan Lajthia, Andre Teikseira, Angelo Tafas, Erald Maksuti, Irgi Kasalla, Esat Mala, Andrej Jago dhe Diar Halili. Nga të gjithë të larguarit, vetëm dy prej tyre janë shitur. Bëhet fjalë për Erald Maksutin e Flamurtarit dhe Irgi Kasallën e Vorës. Dy klubet fituan para, ndërsa ekipet e tjera thjesht kanë parë sesi më të mirët u largohen, ndërsa skuadrat nuk fitojnë asnjë “kacidhe”. Një filozofi kjo e injorancës financiare që ka kapluar prej demokracisë gjithë klubet shqiptare që më shumë harxhojnë sesa fitojnë.
STATISTIKAT E “TOP 20” Në krye të renditjes së performancës qëndron Dejvi Bregu i ish-Dinamo, me notën mesatare 7.57, më e larta në kampionat. Mesfushori ofensiv ka qenë vendimtar me 10 gola, 9 asistime dhe 83 driblime të suksesshme, ndërsa ka ruajtur edhe një saktësi të lartë në pasime prej 82.45%. Pas tij renditet Fernando Medeiros i Egnatias me notën 7.35. Braziliani ka shënuar 5 gola, ka dhënë 4 asistime dhe ka qenë një nga motorët e skuadrës kampione, duke treguar vazhdimësi në çdo ndeshje. Në vendin e tretë gjendet Lorenc Trashi si ish i Flamurtarit me notën 7.28. Edhe pse ka realizuar vetëm një gol, eksperienca e tij reflektohet në 94 driblime të suksesshme dhe 6 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në ndërtimin e aksioneve. Një tjetër emër që bie në sy është Karim Lukili edhe ky ish i Elbasanit. Me 4 gola, 7 asistime dhe 87 driblime të suksesshme, ai renditet i katërti me notën 7.21, duke qenë një nga organizatorët më produktivë të kampionatit. Në të njëjtën notë (7.19) gjejmë disa futbollistë me profile të ndryshme. Xhonatan Lajthia spikat me plot 130 driblime të suksesshme, shifra më e lartë në Superiore, të shoqëruara me 10 gola. Ish-sulmuesi i Elbasanit ka qenë një makineri në duelet një kundër një.
Po me notën 7.19 renditen edhe Ibrahim Diallo, autor i 9 golave, mbrojtësi Erdenis Gurishta, si dhe ishqendërmbrojtësi i Dinamos, Andre Teikseira, i cili bie në sy për 89.4% saktësi në pasime, më e larta ndër lojtarët e kësaj liste. Në repartin difensiv spikasin gjithashtu portieri Angelo Tafas(ish-Tirana), Romeo Harizaj dhe Shkëlzen Ruci të Teutës, të cilët kanë ruajtur nota të larta falë paraqitjeve të qëndrueshme. Sa i përket golashënuesve, edhe pse nuk kryeson renditjen e performancës, Bekim Balaj mbetet bomberi i kampionatit me 14 gola në vetëm 15 javë, ndërsa Irgi Kasalla i larguar nga Vora ka realizuar 13 gola, një surprizë e madhe për këtë sezon. Me 12 gola, Erald Maksuti që luante me Flamurtarin plotëson podiumin e sulmuesve më produktivë. Nga ana tjetër, Esat Mala dikur i Vllaznisë sot te Teuta vazhdon të jetë një nga mesfushorët më të kompletuar, me 3 gola, 5 asistime dhe 74 driblime të suksesshme, ndërsa Albano Aleksi i Egnatias dallohet për cilësinë në qarkullimin e topit me 86.29% pasime të sakta.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













