Dinamo zhvendoset në Tiranë, nisin përgatitjet europiane
Dinamo ka vijuar programin stërvitor në Tiranë, teksa skuadra po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ndeshjen e parë të raundit kualifikues në Ligën e Konferencës ndaj Astanës. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja është zhvendosur në Arbanë, aty ku edhe do t’i japë dorën e fundit përgatitjeve në prag të këtij takimi me shumë rëndësi për kryeqytetasit.

Në kampin dinamovit synimi është që të arrihet një paraqitje sa më dinjitoze në Europë dhe të shfrytëzohet maksimalisht avantazhi i ndeshjes së parë në shtëpi.
Në ditët në vijim pritet që përgatitjet të intensifikohen edhe më shumë, me seanca të fokusuara kryesisht në harmonizimin e skuadrës duke qenë se janë afruar disa lojtarë të rinj në merkato dhe ka pasur shumë ndryshime nga skuadra që u aktivizua në kampionat gjatë sezonit të fundit. Skuadra do të stërvitet në Arbanë deri në datën 8, teksa vetëm stërvitjen e fundit do ta zhvillojë në “Elbasan Arena”, në mënyrë që të përshtaten me stadiumin.
PANORAMASPORT.AL













