FORMULA 1/ Vasër konfirmon Hamiltonin: Me Ferrarin edhe në vitin 2027
Ferrari ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Luis Hamilton deri në sezonin 2027. Sipas drejtorit të ekipit Fred Vasër, piloti britanik u soll në Maranelo për përvojën e tij dhe tashmë është një pjesë e rëndësishme e skuadrës.
“Mund të konfirmoj që Luis Hamilton do të jetë pilot i Ferrarit në 2027”, deklaroi Vasër. Hamilton, i cili iu bashkua Ferrarit në vitin 2024, ka arritur tashmë një fitore të rëndësishme në Çmimin e Madh të Barcelonës. Vasër theksoi se përshtatja e tij fillestare nuk ishte e lehtë për shkak të kalimit nga Mercedesi, por situata është përmirësuar ndjeshëm. “Vitin e kaluar e nënvlerësova sa i madh ishte ndryshimi nga Mercedesi te Ferrari”, tha drejtuesi francez.
Ai shtoi se Hamilton tashmë njeh më mirë skuadrën dhe mjetet e punës, duke kontribuar në progresin e Ferrarit së bashku me Sharl Lëklerkun.
“Sot ai i njeh mjetet, njerëzit dhe mënyrën tonë të punës,” u shpreh Vasër. Sa i përket idesë së një makine të ndërtuar posaçërisht për Hamiltonin, Vasër ishte i qartë: “Jo, nuk bëjmë Formula 1 me porosi. Inputet e pilotëve janë të rëndësishme, por diferencat janë të vogla”.
Për makinën SF-26, Vasër tha se Ferrari ka bërë zgjedhje të fokusuara në shasi dhe drejtueshmëri. “Kemi bërë zgjedhje të qarta… mendoj se ishte vendimi i duhur”, theksoi ai, duke pranuar se disa rivalë kanë qenë më të fortë në disa zhvillime teknike. Mercedes dhe Red Bulli janë përmendur si kundërshtarë me avantazhe në disa sisteme, ndërsa MekLaren mbetet gjithashtu një rival i fortë. Për të ardhmen e tij, Vasër u shpreh i qetë: “Nuk mendoj se jam në rrezik… kam mbështetje të madhe nga drejtuesit e Ferrarit”.
PANORAMASPORT.AL













