Turi i Francës, betejë për rekorde dhe histori! Nga Pogaçar te Seixas, objektivat e edicionit të 113-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2026 | 19:10

Turi i Francës, betejë për rekorde dhe histori! Nga Pogaçar te Seixas, objektivat e edicionit të 113-të

Turi i Francës, gara më prestigjioze e çiklizmit në botë nisi këtë të shtunë nga Barcelona, me etapën e parë në kronometër ekipor. Tre javë spektakli deri në Champs-Élysées të Parisit, ku përveç betejës për fitoret e etapave dhe fanellën e verdhë, mund të jemi dëshmitarë të rekordeve historike dhe arritjeve që do të mbeten gjatë në kujtesë.

fdgh

Pritja më në fund po merr fund, pasi sot Barcelona priti startin e edicionit të 113-të të Turit të Francës, një garë e mbushur me talent si rrallëherë. Dueli i shumëpritur mes Tadej Pogaçar dhe Jonas Vingegaard, debutimi që ngjall entuziazëm i fenomenit francez Paul Seixas, ambiciet e Remco Evenepoel, klasi i Mathieu van der Poel, sprintet me pothuajse të gjithë specialistët më të mirë të botës që do të arrijnë shpejtësi mbi 70 km/h dhe shumë protagonistë të tjerë premtojnë tri javë emocionuese. Përveç luftës për triumfin final dhe fitoret në etapa, ky edicion mund të sjellë edhe rekorde të reja e momente historike.

POGAÇAR SYNON PESËSHEN Rekordi më prestigjioz është ai i pavdekësisë sportive. Tadej Pogaçar vazhdon ngjitjen drejt panteonit të çiklizmit dhe një fitore e pestë në Turin e Francës do ta vendoste përfundimisht mes legjendave. Vetëm Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Indurain kanë fituar pesë herë Turin e Francës. Nëse slloveni ia del, ai do të bëhej fituesi më i ri në histori që arrin këtë shifër, në moshën 27 vjeç e 10 muaj.

SEIXAS, FUNDI I PRITJES FRANCEZE? Përgatitja e tij nuk ka qenë ideale, por pritshmëritë për talentin nga Lioni mbeten jashtëzakonisht të larta. Paul Seixas do të jetë çiklisti më i ri në Turin e Francës që nga viti 1937. Në nisjen nga Barcelona ai do të jetë vetëm 19 vjeç e 9 muaj dhe do të debutojë në një garë 3-javore. Nëse do të arrinte mrekullinë sportive duke fituar Turin, ai do të bëhej fituesi më i ri në historinë e garës, duke kaluar rekordin e Henri Cornet, i cili triumfoi në vitin 1904 në moshën 19 vjeç, 11 muaj e 19 ditë. Njëkohësisht do t’i jepte fund edhe pritjes së gjatë të Francës, që nuk fiton garën e saj kombëtare që prej Bernard Hinault në vitin 1985.

VINGEGAARD, DOPIETA XHIRO-TUR Çiklisti danez dominoi Xhiron e Italisë 2026 dhe kompletoi atë që konsiderohet “Kurora e Trefishtë”, por tani përballet me sfidën më të madhe. Fitimi i Xhiros së Italisë dhe Turit të Francës në të njëjtin vit është një arritje që u ka takuar vetëm kampionëve të mëdhenj. I fundit ishte Tadej Pogaçar në vitin 2024. Më parë këtë dopietë e kanë realizuar Fausto Coppi (1949, 1952), Jacques Anquetil (1964), Eddy Merckx (1970, 1972, 1974), Bernard Hinault (1982, 1985), Stephen Roche (1987), Miguel Indurain (1992, 1993) dhe Marco Pantani (1998). Nëse fiton edhe Turin, Vingegaard do të regjistronte tre fitore radhazi në Ture të Mëdha, një sukses që më parë e kanë arritur vetëm Chris Froome dhe Eddy Merckx.

TRILOGJIA E FITOREVE Gjashtë çiklistë të këtij edicioni kanë fituar të paktën një etapë në Xhiron e Italiaë dhe Vueltën e Spanjës, por ende nuk kanë triumfuar në Turin në Francës. Ata janë: Egan Bernal, Brandon McNulty, Juan Ayuso, Pascal Ackermann, Filippo Ganna dhe Damiano Caruso. Filippo Ganna numëron tetë fitore etapash në Xhiro dhe dy në Vuelta. Edhe pse do të punojë për liderët e ekipit, ai mund të ketë mundësi të luftojë për sukses personal, sidomos në kronometrin individual. Damiano Caruso do të zhvillojë Grand Turin e fundit të karrierës. Si ndihmësi kryesor i Antonio Tiberi dhe Lenny Martinez, ai do të ketë gjithashtu disa raste për të synuar një fitore etape. Deri tani ai ka fituar një etapë në Xhiro dhe një në Vuelta, të dyja në vitin 2021.

POGAÇAR, TOP-10 PËR ETAPAT Kur flitet për statistika, emri i Pogaçar është gjithmonë prezent. Slloveni renditet i 12- ti në historinë e Grand Tureve me 30 fitore etapash. Gjatë këtij Turi ai mund të kalojë Fausto Coppi (31 fitore) dhe Freddy Maertens (35), ndërsa më tej objektivi është Rik van Looy me 37 fitore.

NELSON OLIVEIRA, “MARATONISTI” Portugezi i Movistar do të marrë pjesë edhe në Turin e Francës pas përfundimit të Xhiros. 37-vjeçari nga Vilarinho do Bairro ka marrë pjesë në 23 Grand Ture gjatë karrierës dhe i ka përfunduar të gjitha, një rekord që aktualisht e ndan me polakun Sylwester Szmyd. Nëse përfundon edhe Turin e Francës 2026, Oliveira do të vendosë i vetëm rekordin me 24 Ture të Mëdha të përfunduara. Bilanci i tij aktual është: 4 Xhiro, 9 Ture dhe 10 Vuelta Të gjitha të përfunduara me sukses.

POGAÇAR, REKORDI I PODIUMEVE RADHAZI Fenomeni slloven ka hipur gjithmonë në podium në çdo pjesëmarrje në Turin e Francës. Që nga debutimi në vitin 2020 ai ka fituar katër herë dhe ka përfunduar dy herë i dyti, duke vendosur rekordin me gjashtë podiume radhazi. Nëse ngjitet sërish në podium në Paris, do ta çojë rekordin në shtatë podiume të njëpasnjëshme. Njëkohësisht ai do të barazonte Bernard Hinault dhe Joop Zoetemelk me shtatë podiume në total, duke mbetur pas vetëm Raymond Poulidor, i cili ka tetë. Edhe Jonas Vingegaard mund të arrijë gjashtë podiume radhazi, duke u bashkuar me emra legjendarë si Eddy Merckx, Jan Ullrich, Chris Froome, Jacques Anquetil dhe Lucien Garrigou.

MË SHUMË BELGË SESA FRANCEZË Në startin e Turit të Francës 2026 do të jenë 31 çiklistë belgë, një më shumë se përfaqësuesit francezë. Hera e fundit kur Franca nuk ishte vendi me numrin më të madh të pjesëmarrësve ishte viti 2007, kur Spanja kryesonte me 41 çiklistë. Pas Belgjikës dhe Francës, vendet më të përfaqësuara në këtë edicion janë: Holanda me 17 çiklistë, Italia me 12 dhe Gjermania 12. Që nga Lufta e Dytë Botërore, vetëm në vitin 1963 Franca kishte pasur më pak përfaqësues në nisjen e Turit të Francës, me vetëm 29 çiklistë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL