“Kemi respekt për kundërshtarin e sotëm”, Gvozdenoviç me moral të lartë: Çdo pikë ka vlerë, merkatoja më vonë
Elbasani do të zbresë në fushë përballë Bylisit në një ndeshje që pritet të jetë e luftuar dhe vendimtare për objektivat e skuadrës në kampionat.
Verdheblutë vijnë në këtë përballje me moral të lartë, ndërsa sfida ndaj ballshiotëve shihet si një tjetër test i rëndësishëm për stabilitetin dhe pjekurinë e ekipit. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka folur për përgatitjet, kundërshtarin dhe fokusin e skuadrës.
Fillimisht tekniku ndalet tek gjendja fizike e lojtarëve dhe zgjedhjet që do të bëhen për formacionin. “Situata është e mirë, përveç Lajthisë dhe Qoses që kanë pak probleme dhe mbetet për t’u parë deri (nesër) sot. Nuk kemi vendosur ende për formacionin përfundimtar apo detajet taktike. Megjithatë, di të them që ne jemi gati në çdo rast”, u shpreh fillimisht tekniku i skuadrës elbasanase.
VLERËSIMI – Sfida ndaj Bylisit konsiderohet një nga përballjet më të vështira të javës, ndaj edhe respekti për kundërshtarin është maksimal. “Është një ndeshje e vështirë, sepse çdo javë është e vështirë. Tani nuk ka më diferenca nëse luan brenda apo jashtë. Kemi shumë respekt për ekipin e Bylisit, siç kemi për çdo kundërshtar që kemi përballë. Në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, Bylisi tregoi se ka shumë cilësi dhe një mentalitet të fortë, ku kanë luajtur fort dhe bukur ndaj Vllaznisë. Si në çdo ndeshje, do hyjmë për të dhënë maksimumin në fushë, të luajmë futboll të bukur dhe të marrim pikët”, theksoi më tej tekniku i Elbasanit, i cili kërkon vlerësim maksimal për kundërshtarin e ditës së sotme.
FITORET MINIMALE – Rezultatet e fundit kanë treguar një Elbasan më të pjekur, i aftë të administrojë ndeshjet dhe të marrë maksimumin e mundshëm. Të paktën, kështu mendon Gvozdenoviç sa i përket fitoreve në shifrat 1 me 0. “Fitoret minimale? E kam thënë edhe më herët që tani jemi më të pjekur dhe skuadra e di si të luftojë për pikët dhe kjo është plus për ne. Nuk dua të komentoj shumë, sepse çdo fitore ka vlerë, edhe me 1-0, edhe me 3 apo 5-0. Ne jemi të fokusuar te pikët dhe deri tani jam i kënaqur”, u shpreh qartë serbi, duke nënkuptuar se në fund të ditës duhen pikët dhe për fat të mirë Elbasani i ka marrë ato.
MERKATO – Teksa sezoni vazhdon me ndeshje të rëndësishme njëra pas tjetrës, merkatoja nuk është prioritet në këtë moment. Sipas kreut të pankinës elbasanase, për të do të mendohet pas datës 24 dhjetor. “Të them të drejtën nuk po mendojmë për merkaton, sepse kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara, siç është Bylisi dhe më pas Tirana. Sigurisht që do mendojmë pas mbylljes së ndeshjeve për merkaton, por momentalisht fokusi ynë është Bylis”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i skuadrës së Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













