“Kemi frikë nga humbja, ndeshje e papërgatitur”, Bajko zbërthen sfidën e barazuar me Letoninë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2025 | 21:12

“Kemi frikë nga humbja, ndeshje e papërgatitur”, Bajko zbërthen sfidën e barazuar me Letoninë (E PLOTË)

NGA NEPTUN BAJKOKOMBETARJAA

Menjëherë pas ndeshjes, është tepër e vështirë të bësh një analizë profesionale, për të nxjerrë një përfundim se çfarë ishin pozitive, që për fat të keq ishin shumë të pakta, dhe çfarë çaloi në këtë takim të rëndësishëm. Unë mendoj se parapërgatitja morale dhe psikologjike e ekipit për të luajtur një ndeshje të tillë, në aspektin sportiv është gjithmonë e vështirë. Kjo, sepse në të tilla ndeshje nisesh me idenë që ne do të luajmë vetëm për fitore dhe jemi këtu për të marrë dhe dhënë kombëtares sonë këtë trepikësh. Për mua, jashtë sferës të opinionistëve, gjatë ndeshjes e gjatë 90 minutave u pa në një detaj që është i padukshëm, por që e kaplon, e zë për fyti ekipin tonë përfaqësues.

Dhe e kam fjalën pikërisht te frika e humbjes. Pra, futesh në ndeshje me një besim të lartë, por të pakonkretizuar sesi do të shkosh te fitorja. Futesh në fushën e lojës me besim të lartë, por gjatë 90 minutave ti ndeshesh edhe me lojën e kundërshtarit, i cili befasoi në realitet ekipin tonë përfaqësues. Frika e humbjes, një mentalitet, që shpeshherë ka penguar ekipin të luajë lirshëm dhe të tregojë vlerat e vërteta.

Ky ishte defekti më i madh në pikëpamjen morale dhe psikologjike, që çoi te fakti se lojtarët nuk luajtën lirshëm. Edhe pse në pamje të parë, gjatë fillimit, ekipi nuk ta jepte përshtypjen se skuadra nuk kishte frikë të sulmonte apo të shkonte te porta apo për ta goditur atë. U morën 15-20 goditje këndi apo faulle rreth zonës. Në këto takime, shpeshherë ky mjet që ka një skuadër, merr një vlerë të posaçme, kjo duke e ditur që ekipi letonez do të luante me mbrojtje të ngjeshur dhe nuk të lejonte të shihje portën dhe të bëje manovrime në drejtim të qëllimit. Të godisje portën!

 GABIMET DHE FAJI I STAFIT

Dua të cek edhe dy-tri pika që nuk u panë të zbatoheshin në fushën e lojës. Si ka mundësi që lojtari më shtatlartë dhe kapiten, të mos markohet apo mbulohet rreptësisht në zonë gjatë faulleve apo këndoreve? Nga ky lojtar na erdhi edhe goli i pësuar. Te goli ishte Balliu që e mbulonte, ndërsa dy mbrojtësit kryesorë tanët, Ismajli dhe Kumbulla, ishin të vendosur në qendër, por pa markim kundërshtari. Nuk e kuptoj këtë situatë…

U pa nga të gjithë se për një shkujdesje të tillë nuk u ndërhy nga stoli. Si ka mundësi që shpeshherë lojtarët e Letonisë ishin të lirë në zonë dhe nuk mbuloheshin. Ose ka diçka që nuk është bërë, sidomos kur të mungojnë dy qendrat. Detyrat duhet të ishin përcaktuar mirë dhe të ishin të qarta. Në ndeshjen e djeshme nuk ishin studiuar mirë kundërshtarët dhe mënyra e lojës së tyre dhe këtë detyrë e ka në ngarkim trajneri dhe stafi i tij.

Dy janë problemet. Penalltia dhe goli i pësuar në qendër të mbrojtjes nga lojtari më i gjatë i kundërshtarëve, që u la i mirë në zonë. Kjo ndeshje dhe lojë ishte pa presing, pa ide të qarta dhe shpeshherë monotone. Pa veprime surprizë dhe të befasishme. Lojtarët e përkëdhelin topin, por nuk kishin një mendim të qartë se ku do të shkonte topi, përse dhe si. Pra, mungonte mekanizmi. Edhe me zëvendësimet nuk u pa ndonjë ndryshim i lojës. Për këtë fakt shoh që kundërshtari është marrë lehtë. Është menduar që do të marrim tri pikët, por sesi arrihet kjo fitore, nuk është analizuar. Në fushën e lojës nuk u pa pothuajse asgjë. Në fushë nuk kishte presing dhe ekipet e dobëta, nëse kanë këtë presing, bëjnë gabime.

Në asnjë moment skuadra jonë nuk e shfaqi këtë anë. Ishin në fushën kundërshtare, por bënin vetëm qarkullim të topit. Manovra pa efekt dhe që vononin lojën, por edhe tregonin që s’kishte ide. Rimarrja e topit asnjëherë nuk u realizua dhe përplasjet ishin të pakta. Edhe ato faulle që u bënë ishin më shumë nga lodhja sesa taktike. Loja e ekipit letonez nuk ishte studiuar, nuk ishte marrë asnjë masë ndaj kundërshtarit që duhen vlerësuar. Tri herë erdhën në portë kundërshtarët. Morën një 11-metërsh, shënuan gol dhe patën një rast të rëndësishëm. Bëj hesap, një ekip që luan në gjysmëfushën e vet. Në fushë nuk kishte angazhim total. Lojtarët nuk donin të prekeshin. Si zonja të rënda.

BROJA DHE MESFUSHA

Më pëlqyen disa veprime individuale të Brojës. Ai veproi mirë në disa momente gjatë anësores dhe duke çuar sferën në qendër. Ama, kundërshtarët i kishin marrë masat për këtë lojë. Broja çekuilibronte kundërshtarin në mbrojtje. Broja mund të luante në qendër, por në anësore e mbulonin dy vetë. Së bashku me Manajn në qendër mund të ngatërroheshin me njëri-tjetrin dhe nuk do të kishte përfitim. Gjatë gjithë takimit nuk u korrigjua edhe një gabim tjetër.

Në fushë ishin Asllani, Shehu dhe Laçin. Shto edhe Balliun, por po e lëmë. Të tre bënin të njëjtin rol që mund ta kishte në dorë vetëm një ri prej tyre. Hapësira nuk pati, dhe vetëm Asllani u mundua të zgjidhte diçka me gjuajtje nga distanca.

SHANSET E BOTËRORIT

Unë llogari të holla nuk di të bëj, por ky barazim është shumë deziluzionues. Nuk të jep shumë shpresa që ne mund të shkojmë në Botëror. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por për momentin e shoh të largët një gjë të tillë.

MUNGON STILI I LOJËS

Ekipi ynë kombëtar nuk ka një stil loje. Nuk ka një karakteristikë të veçantë të futbollit shqiptar. Ekipi nuk i ka cilësitë dhe vlerat e futbollit tonë. Këto gjëra nuk pasqyrohen në përfaqësuese. Lojtarët në klube kanë një mënyrë tjetër loje. Në kombëtare nuk e gjejnë stilin e caktuar.

Kombëtarja ka të tjera rregulla, të tjera ligje dhe tjetër moral. Pika që nuk i shohim te përfaqësuesja jonë. Thjesht kanë humbur disa vlera bazike që karakterizojnë ekipin shqiptar nga ekipi turk apo letonez. Dy gjëra nëse rregullon: shpirtin luftarak dhe dëshirën për fitore. Luftohet për një komb, për vlera të mëdha.

PANORAMASPORT.AL