“Kavajasit i njoh mirë, besojmë te arritja e objektivit”. Korabi në luftë për “play off”, Kurti “shënjestron” Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 12:42

“Kavajasit i njoh mirë, besojmë te arritja e objektivit”. Korabi në luftë për “play off”, Kurti “shënjestron” Besën

Korabi Peshkopi po hyn në fazën vendimtare të sezonit, ku objektivi kryesor është zona “play off”. Në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, skuadra dibrane do të përballet pikërisht me dy rivalë direkt të këtij objektivi. Fillimisht në transfertë ndaj Besa në fushën e Luzit dhe më pas në shtëpi kundër Ilirisë.

reild kurti besa

Korabi po vijon përgatitjet intensive në stërvitje, në prag të sfidës së rëndësishme të së shtunës ndaj Besës. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Luzit, në orën 15:00, dhe konsiderohet si një “finale” për dibranët, të cilët synojnë të sigurojnë tre pikët për të mbajtur gjallë shpresat për vendet e para. Stafi teknik dhe lojtarët janë të përqendruar maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv në këtë transfertë delikate, që mund të rezultojë vendimtare për fatin e sezonit.

Kurti: Shkojmë vetëm për fitore

Një nga lojtarët që ka folur në prag të kësaj sfide është 23-vjeçari Reild Kurti, i cili u rikthye te Korabi pas një gjysmë sezoni te Besa e Kavajës. Ai e njeh mirë kundërshtarin dhe shprehet i bindur se skuadra e tij ka ardhur koha ta mposhtë. Kurti është i vetmi futbollist në skuadrën e Korabit që ka luajtur këtë sezon si për Besën, ashtu edhe për Korabin. Në ndeshjen e parë të fazës së parë, më 30 gusht 2025 në Peshkopi, ai ishte kundërshtar i Korabit në barazimin 0-0. Ndërsa në takimin e dytë më 28 nëntor 2025 në Luz, ku Besa fitoi 3-1, ai ishte pjesë e Korabit. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Kurti u shpreh: “Besën e njoh mirë, edhe pse kam qëndruar pak atje.

E dimë që kjo skuadër është rritur shumë kohët e fundit, sidomos me ardhjen e trajnerit Gugash Magani. Nuk është rastësi që ndodhen në zonën e gjashtë më të mirave. Ne e respektojmë, por nuk kemi çfarë të humbasim, ndaj shkojmë në Luz vetëm për fitore. Fusha do të tregojë nëse e meritojmë trepikëshin. Besojmë fort se mund të kapim objektivin e ‘play off’-it. Na duhen këto 6 pikë nga dy ndeshjet e fundit dhe jam i bindur se Korabi mund t’i realizojë”. Korabi shpreson që me një finish të fortë ndaj rivalëve direkt të sigurojë vendin në zonën “play off” dhe të mbyllë sezonin me sukses.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL