KATEGORIA E PARË/ Javë presioni për kreun, mbijetesa në duel direkt! Kryesuesit luajnë në shtëpi, nuk mungojnë sfidat për “play off”
Kategoria e Parë ka hyrë tashmë në një fazë ku çdo gabim ka peshë të madhe, pasi hapësira për rikuperim është gjithnjë e më e vogël.

Me vetëm disa javë deri në fund të sezonit, çdo pikë mund të rezultojë vendimtare si në garën për ngjitje, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Java e 25-të pritet të sjellë emocione të forta, pasi diferenca mes kryesuesit Skënderbeu dhe ndjekësit më të afërt Laçi është vetëm tre pikë. Ndërkohë, edhe në fundin e tabelës situata është shumë e tensionuar, ku Kukësi dhe Luftëtari do të përballen në një duel direkt që mund të ndikojë ndjeshëm në fatin e sezonit për të dy skuadrat.
Java e 25- të premton emocione në çdo stadium. Me garën për vendin e parë që mbetet e hapur dhe me mbijetesën që bëhet gjithnjë e më dramatike, çdo ndeshje mund të ndryshojë ekuilibrat e kampionatit. Tashmë çdo pikë ka peshë të madhe dhe çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Të gjitha ndeshjet e javës së 25-të do të zhvillohen të shtunën, më 7 mars, duke nisur nga ora 14:00.
SKËNDERBEU – LUSHNJA Kryesuesit e kampionatit rikthehen në shtëpi me një objektiv të vetëm, fitoren. Skënderbeu po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe me 57 pikë mban vendin e parë, por presioni i Laçit është konstant. Përballë do të ketë një Lushnje që lufton për të dalë nga zona e rrezikut dhe që çdo pikë e konsideron jetike për mbijetesën. Diferenca në letër është e madhe, por në këtë fazë të sezonit ndeshje të tilla mund të fshehin gjithmonë surpriza.
LAÇI – APOLONIA Laçi nuk ka luksin të gabojë nëse dëshiron të vazhdojë presionin ndaj vendit të parë dhe duan që ta thellojnë edhe më shumë serinë e 10 fitoreve radhazi. Kurbinasit kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit dhe në shtëpi konsiderohen favoritë ndaj Apolonisë. Megjithatë, skuadra fierake ka treguar shpesh se di të jetë e rrezikshme dhe do të kërkojë pikë të vlefshme për t’u larguar nga zona e ftohtë e renditjes.
POGRADECI – KORABI Një përballje që në letër duket shumë interesante. Pogradeci është një nga skuadrat më të qëndrueshme të sezonit dhe mban vendin e tretë, duke synuar të qëndrojë në zonën e sipërme. Korabi nga ana tjetër ndodhet në mesin e tabelës dhe kërkon pikë për të ruajtur distancën nga fundi. Liqenorët do të mbështeten te forma e mirë në shtëpi, ndërsa dibranët do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv.
KASTRIOTI – BESA Një duel i ekuilibruar mes dy skuadrave që kanë pasur një sezon me ulje-ngritje. Kastrioti synon të shfrytëzojë faktorin fushë për t’u shkëputur më shumë nga mesi i tabelës, ndërsa Besa kërkon pikë për të mos u përfshirë në luftën e mbijetesës. Ndeshje e hapur, ku një moment i vetëm mund të bëjë diferencën.
BURRELI – ILIRIA Dy skuadra shumë pranë njëra-tjetrës në renditje do të përballen në “Liri Ballabani”. Burreli kërkon të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të marrë tri pikë të rëndësishme, ndërsa Iliria ka treguar se është një kundërshtar i fortë për çdo ekip. Duel që pritet të jetë i luftuar, me të dyja skuadrat që synojnë të stabilizojnë pozitat në tabelë duke siguruar një vend në zonën “play off”.
KUKËSI – LUFTËTARI Kjo është pa dyshim ndeshja më dramatike e javës. Dy skuadrat e fundit të renditjes përballen në një duel direkt për mbijetesë. Kukësi dhe Luftëtari kanë nevojë jetike për pikë dhe çdo rezultat do të ketë ndikim të madh në vijimin e sezonit. Presioni është maksimal dhe pritet një ndeshje shumë e fortë, ku gabimet mund të kushtojnë shumë.
PANORAMASPORT.AL













