Kategoria e Dytë, Grupi B / Dhuratë tifozëve, fund “i çmendur” në Kuçovë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 15:21

Kategoria e Dytë, Grupi B / Dhuratë tifozëve, fund “i çmendur” në Kuçovë

Naftëtari luajti dje ndeshjen e fundit në fushën e vet për këtë sezon. Megjithëse e ka siguruar biletën për ngjitjen në Kategorinë e Parë prej dy javësh, kuçovarët vazhdojnë të fitojnë. Dje, përballë Devollit, ekipi i drejtuar nga Kristaq Mile ka triumfuar 3-2. Një fund i çmendur është luajtur në Kuçovë ku fillimisht barazuan miqtë në të 88-ën dhe më pas Naftëtari shënoi golin e fitores në të parën shtesë. Duhet thënë se miqtë bënë një rezistencë të admirueshme në takimin e djeshëm.

naftetari

NDESHJA

Pjesa e parë u fitua nga Naftëtari që kaloi shumë shpejt në avantazh me anë të Tavanit. Miqtë e kanë shumë të vështirë dhe në minutën e 20-të shkaktojnë autogol me anë të Nallbatit. Rastet nuk mungojnë edhe në minutat në vazhdim, por nuk ka më gola dhe pjesa e parë mbyllet 2-0. Pjesa e dytë është më e bukur ku bilishtarët befasojnë. Ngjela rihap takimin në minutën e 65-të.

Pas këtij goli, takimi bëhet më interesant ku luhet një futboll i hapur. Në minutën e 81-të, Naftëtari ka mundësinë të shënojë golin e tretë, por A.Pepa gabon nga pika e bardhë e penalltisë. Miqtë surprizojnë në minutën e 88-të ku shënon Pleshti, i futur në lojë në pjesën e dytë.

naftetari devolli

Por, në minutën e 91-të është A.Pepa që korrigjon gabimin duke shënuar golin e fitores për të tijtë. Në këtë sezon skuadra kuçovare i përfundon ndeshjet në fushën e saj me fitore. Tashmë, ekipi do të luajë edhe sfidën e fundit në Orikum javën e ardhshme dhe më pas do të mendojë për finalen e Kategorisë së Dytë ndaj Egnatias.

ARBEN ÇEPANI

Rikthehet Delvina, zhyt Gramozin në fund

Delvinjotët kanë gjetur fitoren e munguar prej javësh, teksa kanë mposhtur 3-1 kolonjarët e Gramozit. Dy golat e realizuar në pjesën e parë me protagonist të riun Zejnati dhe lojtarin-trajner Dritan Mehmeti kanë mbyllur shpejt llogaritë e fitores për vendësit.

Delvina – Gramozi 3-1
delvina gramozi

Në të 83-ën është sërish Zejnati që kalon në avantazh të trefishtë skuadrën vendëse. Miqtë pas pësimit të golit të tretë zgjohen nga gjumi, teksa shënojnë golin e nderit me Enea Mydinin. Një humbje që e dërgon Gramozin në vendin e fundit dhe rrezikon rënien kur ka mbetur edhe një javë.

TOMOR SHEHU

Paqe në Sarandë, Butrinti dhe Orikumi… ecin në fushë

Butrinti dhe Orikumi janë përballur në një takim ku të dyja ekipet nuk kishin objektiva. Kjo u ndie edhe në lojë ku skuadrat nuk u sforcuan fare. Të parët janë miqtë ata që rrezikojnë duke goditur shtyllën pingule në minutën e 9-të. Ky ishte edhe i vetmi rast për t’u nënvizuar gjatë pjesës së parë.

Butrinti – Orikumi 0-0
butrinti orikumi

Në pjesën e dytë ekipet duket se u mobilizuan më shumë. Është Mançe i Butrintit ai që ka mundësi të shënojë, por nuk e gjen rrjetën. Të njëjtin fat ka edhe Kasaj, ndërsa në fund Xhibro godet edhe shtyllën. Takimi mbyllet me shifrat e bardha 0-0.

GERALD BREGU

Tepelena i hap rrugën, Skrapari sheh mbijetesën

Miqtë nga Skrapari kanë qenë më të motivuar, pasi vetëm fitorja i mbante ata në luftën për mbijetesë. Vendësit që u paraqitën në këtë takim me shumë futbollistë të rinj, nuk arritën ta përballonin ekipin mik. Në të 74-ën ka ardhur goli për skraparllinjtë që kalojnë në avantazh me anë të Kardhickës. Ky i fundit godet saktë me kokë brenda zonës.

Tepelena – Skrapari 1-2
tepelena skrapari

Në të 80-në është Karamani barazon shifrat në 1-1. Dy minuta më vonë, shtatlarti Gogo e çon rezultatin në 2-1 për Skraparin që lë vendin e fundit. Çorovodasit tashmë shpresojnë shumë te mbijetesa.

ROLAND SULI

“Luftë” në derbin e Vjosës, 10 kartonë dhe dy gola

Derbi i Vjosës ka dhuruar spektakël. Ekipet zhvilluan një luftë të fortë sportive ku në fund fituan përmetarët 2-0. Në të 10-ën është Gaba që shënon për të tijtë një eurogol nga jashtë zone. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në pjesën e dytë, miqtë hyjnë në fushë me 2 zëvendësime, por që nuk i sollën ndonjë rezultat.

Përmeti – Këlcyra 2-0
permeti kelcyra

Në të 71-ën është sërish Gaba që shënon edhe golin e dytë. Miqtë në 10 minutat e fundit kanë mbetur me 10 lojtarë në fushë pasi Sakollari merr kartonin e dytë të verdhë. Një sfidë shumë e luftuar, ku janë dhënë nëntë kartonë të verdhë dhe një i kuq.

ROLAND SULI

Toçka mund Memaliajn

Ka mjaftuar Toçka për t’u dhënë fitoren e radhës në shtëpi prrenjsakëve që edhe një herë tjetër tregohen të përpiktë përballë publikut të tyre. Një gol i shënuar në të parën dhe një në të dytën kanë zhvlerësuar golin e Shehut.

Domosdova – Memaliaj 2-1
domosdova memaliaj

Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit ku Toçka në të 20-ën nuk fal dhe shkund rrjetën mike. Por, 10 minuta më vonë për miqtë mendon Shehu që barazon dhe jep shpresë. Por, në të 80-ën është sërish Ergys Toçka që shënon.

LEDION QOSHKU

kategoria e dyte grupi b renditja