Kategoria e Dytë, Grupi A / Egnatia luan “tenis” me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 14:53

Kategoria e Dytë, Grupi A / Egnatia luan “tenis” me Tiranën

Egnatia vazhdon të shijojë rikthimin në Kategorinë e Parë pas 10 vitesh. Dhe skuadra rrogozhinase dhuron spektakël dhe goleada javë pas jave. Dje, ekipi i drejtuar nga Vladimir Gjoni shkatërroi Tiranën B 6-0 në kompleksin sportiv “Skënder Halili”. Egnatia nuk ka treguar mëshirë ndaj bardhebluve duke i turpëruar në fushën e tyre. Vangjel Mile ishte njeriu i ndeshjes që shënoi tripletë.

egnatia

NDESHJA

Loja nis menjëherë me gol. Mile hap serinë në minutën e 3-të dhe më pas dyfishon në të 20-ën. Tirana është thuajse inekzistente dhe lojtarët vendës trullosen nga ky start i shpejtë i miqve. Mbrojtja vendëse është e pasigurtë në shumë momente dhe në të 26-ën është Vata që trefishon. I vetmi rast për Tiranën B vjen në fund të pjesës së parë ku vendësit fitojnë një penallti. Por, Qilimi gabon nga pika e bardhë dhe ky fraksion mbyllet 3-0 për miqtë.

tirana b egnatia

Pjesa e dytë nis sërish mirë për rrogozhinasit. Në të 60-ën është Mile që shënon golin e 4-t dhe të tretin personal. Në minutën e 75-të, rrogozhinasit humbasin një penallti me Bahollin ku është portieri i Tiranës Kodra që pret. Megjithatë, ka kohë edhe për dy gola të tjerë të Egnatias. Melani në të 83-ën dhe Gjuzi në të 90-ën i dërgojnë shifrat në 6-0.

SHKËLQIM HASANI

Ada mbyll ndeshjen për 5 minuta, Gramshi i dorëzuar

Ada e Velipojës ka fituar 2-1 ndeshjen e radhës ndaj ekipit të Gramshit. Ka qenë një sfidë e qetë sepse të dy ekipet tashmë nuk kanë më asnjë objektiv. Ada e ka zgjidhur gjithçka shumë shpejt që në pjesën e parë. Është Pepa ai që realizon golin e parë në minutën e 27-të.

Ada – Gramshi 2-1
ada gramshi

Pesë minuta më pas është sulmuesi Dibra ai që dyfishon rezultatin. Pjesa e parë mbyllet 2- 0 për Adën. Në pjesën e dytë miqtë nuk kanë forcën e duhur për të përmbysur rezultatin. Gramshi vetëm ngushton rezultatin me anë të Zogut 12 minuta nga fundi. Velipojakët ruajnë avantazhin dhe fitojnë 2-1.

SENAD NIKSHIQI

“Poker” i Vorës, një Shkëmb trondit Vllazninë

Shkëmbi bën tris dhe i jep fitoren Vorës. Sulmuesi i bluve rikthehet vrullshëm pas katër javësh i dëmtuar duke mos harruar rrugën e rrjetës. Një ndeshje mjaft e mirë për blutë, të cilët duhet thënë se kanë zhvilluar një lojë të bukur ndaj miqve nga Shkodra.

Vora – Vllaznia B 2-1
vora vllaznia b

Takimi sheh nga fillimi Vorën dominuese teksa që në fillim goleadori Shkëmbi hap festivalin e golave. Në fundin e pjesës së parë Mziu dyfishon rezultatin. Pjesa e dytë është e gjitha për Shkëmbin, i cili me dy gola të tjerë kompleton tripletën personale dhe arrin kuotën e 26 golave sezonalë.

ARMANDO SUBASHI

Kevitani i rënë në të Tretën, por i bën zbor Partizanit

Skuadra e Kevitanit, që drejtohet nga i riu Mareglen Meta, u ka dhënë një leksion të mirë lojtarëve të përvojës te Partizani B. Ka qenë një lojë mjaft e bukur e tyre, madje po të tregoheshin më të kujdesshëm në fazën sulmuese, mund të dilnin edhe me tri pikë.

Partizani – Kevitani B 0-0
partizani b kevitani

Kevitani ka marrë një pikë ku meritojnë të gjithë lëvdata, por në mënyrë të veçantë kanë qenë Igli Moqi, një mbrojtës i pakalueshëm dhe Markel Biduli një mesfushor i shkëlqyer. Skuadra e Partizanit ka organizuar bukur aksionet sulmuese ku dallohen dyshja e shkëlqyer Lleshi-Gjeçi, por pa rezultat.

ABDULLA DUSHKU

Veleçiku i falet Drabesë, trajneri i Luzit kapet me anësorin

Veleçiku e ka mbyllur me fitore kampionatin në fushën e vet. Pjesa e parë ka folur për koplikasit edhe pse dy sulmuesit Leka e D.Çokaj nuk kanë mundur të finalizojnë. Në 45 minutat e dyta, vendësit kanë luajtur gjatë të gjithë kohës në sulm, por goli ka ardhur vetëm në të 81-ën, autor i të cilit është Drabeja.

Veleçiku – Luzi Junaited 1-0
veleciku luzi junaited

Trajneri i Luzit në të 75-ën është larguar nga pankina, pasi ka kundërshtuar anësorin për një vendim. Deri në fund, vendësit e kanë ruajtur avantazhin dhe kanë siguruar 3-pikëshin e radhës. Një sezon për t’u harruar për skuadrën koplikase.

ESAT YMERI

kategoria e dyte grupi a renditja