Kastrati ka nevojë për hapësira te Vllaznia, sulmuesi i 2 milionë eurove do pozicion tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2025 | 18:20

Kastrati ka nevojë për hapësira te Vllaznia, sulmuesi i 2 milionë eurove do pozicion tjetër

Lirim Kastrati ishte një nga afrimet e bujshme të Vllaznisë në merkaton e dimrit, me kuqeblutë që surprizisht siguruan shërbimet e një futbollisti me një CV të shkëlqyer. Ku kosovari kishte milituar më parë në gjigandë si Dinamo Zagreb apo Legia Varshavë, duke mos harruar edhe aktivizimet me Lokomotivën e Zagrebit dhe Videoton në Hungari.

Vllaznia Kastrati

E një sulmues që gjatë karrierës së tij kishte kapur një vlerë kartoni prej 2 milionë eurosh dhe pritej si lojtari që do bënte diferencën në Superiore. Realisht pas marrjes optimale të formës fizike, ku 26-vjeçari vinte nga një dëmtim, ai u adoptua menjëherë me Vllazninë dhe kampionatin shqiptar. Duke dhuruar një nivel të lartë loje, ashtu siç pritej fillimisht nga numri “7”-të i shkodranëve. Madje duke fituar në dy raste edhe çmimin si futbollisti i ndeshjes, ku ka spikatur me performancat e tij.

Por, në javët e fundit duket se “shkëlqimi” i Kastratit ka rënë dhe kjo ka ndikuar edhe te loja e 9 herë kampionëve të vendit në fazën ofensive. Kjo si pasojë e rolit që po mbulon Kastrati, ku në skemën 3-5-2 që aplikon Martini, ai përdoret si një futbollist i linjës së djathtë. E në këtë mënyrë duke u limituar në maksimum në veprimet sulmuese pasi futbollisti konsumohet shumë duke ndihmuar skuadrën në prapavijë. Por, humbet cilësi në daljet e tij përpara, në një rol që nuk është më i miri për të.

Pavarësisht se Kastrati ka dhuruar një nivel të kënaqshëm edhe si anësor i djathtë. Megjithatë për të shikuar aftësitë reale të 26- vjeçarit, atij i duhet një rol më afër portës, pasi Kastrati ka shënuar vetëm një gol deri më tani edhe ai i ardhur me penallti kundër Tiranës. Në vijim të kampionatit roli i Kastratit në fushë pritet të rishikohet, ku edhe ekspertë të ndryshëm të futbollit janë shprehur se për të shikuar Kastratin e vërtetë, sulmuesi duhet të jetë afër portës dhe pjesë e fazës ofensive të skuadrës.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL