Kartonët dhe agresiviteti, Egnatia paralajmëron lojtarët para fundit të sezonit
Në prag të përballjes së radhës në kampionat, skuadra e Egnatias po vijon intensivisht përgatitjet për sfidën në shtëpi ndaj Bylisit.

Në kampin rrogozhinas atmosfera është pozitive dhe e përqendruar maksimalisht te objektivi kryesor: marrja e tri pikëve. Duke analizuar statistikat përballë kundërshtarit të radhës, gjithçka flet në favor të Egnatias. Megjithatë, në futboll asgjë nuk merret e mirëqenë dhe stafi teknik ka kërkuar përqendrim maksimal nga minuta e parë deri në të fundit.
Trajneri dhe stafi i tij janë fokusuar në përgatitjen taktike, duke analizuar me kujdes pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Stërvitjet kanë qenë të intensitetit të lartë, me theks të veçantë te qarkullimi i shpejtë i topit dhe shfrytëzimi i hapësirave, elementë që mund të bëjnë diferencën në një ndeshje ku Egnatia synon të dominojë.
Megjithatë, në ambientin e klubit nuk ka vend për eufori. Lojtarët janë të vetëdijshëm se çdo ndeshje ka historinë e saj dhe se kundërshtari do të vijë për të bërë maksimumin. Pikërisht për këtë arsye, përqendrimi dhe serioziteti mbeten fjalët kyçe në prag të këtij takimi.
MERAKU I KLUBIT – Përtej objektivit të menjëhershëm që është fitorja ndaj Bylisit, në klub ekziston edhe një shqetësim tjetër, që lidhet me vazhdimësinë deri në fund të kampionatit. Drejtuesit dhe stafi teknik kanë ngritur alarmin për numrin e lartë të kartonëve të marrë gjatë këtij sezoni, veçanërisht atyre të kuq. Ky fenomen ka ndikuar jo pak në formacionin e skuadrës, duke bërë që në disa ndeshje Egnatia të mos jetë me grup të plotë.
Mungesat e detyruara për shkak pezullimesh kanë krijuar vështirësi në ruajtjen e ritmit dhe stabilitetit të ekipit. Pikërisht për këtë arsye, në ditët e fundit drejtuesit e klubit u kanë bërë thirrje të qarta lojtarëve që të tregojnë më shumë kujdes në fushë. Kartonët e panevojshëm konsiderohen si një luks që skuadra nuk mund ta përballojë në këtë fazë vendimtare të sezonit.
Mesazhi është i qartë: agresiviteti sportiv duhet të jetë brenda kufijve të lejuar dhe çdo reagim i nxituar mund të ketë pasoja jo vetëm për ndeshjen e radhës, por edhe për objektivat afatgjata të ekipit. Në përfundim, Egnatia hyn në këtë sfidë me një objektiv të qartë dhe të panegociueshëm: fitoren. Por njëkohësisht, skuadra po mendon edhe për më tej, për ruajtjen e ekuilibrave dhe për të mos rrezikuar në ndeshjet e mbetura të kampionatit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













