Karriera e Eldorian Hamiti, gjyqtari lezhjan “i preferuari” i… durrsakëve
Klubi i Flamurtarit ra nga kategoria, por para ndeshjes me Teutën shprehu shqetësimin e tij lidhur me përzgjedhjen e arbitrit Eldorjan Hamiti për të gjykuar atë takim, duke e lidhur këtë reagim edhe me statistikat e tij të gjykimeve ndër vite në Superiore. Në fakt, Hamiti nuk dha një penallti në favor të Flamurtarit në fund të ndeshjes me Teutën.

FOTO: F. Hazisllari
Po si qëndron e vërteta? Sipas të dhënave të grumbulluara, Hamiti ka drejtuar më shumë ndeshje të Teutës (64 takime), duke regjistruar 24 fitore, 25 barazime dhe 15 humbje për këtë skuadër. Po ashtu, ai ka qenë i pranishëm shpesh edhe në ndeshjet e Partizanit (47 ndeshje) dhe Tiranës (44 ndeshje), duke u konsideruar një nga arbitrat me ngarkesën më të madhe në kampionat.
Në këtë kontekst, Flamurtari thekson se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër, çka sipas klubit krijon një përsëritje të pashpjegueshme në përzgjedhje dhe ngre shqetësime për balancën e vendimeve në duelet direkte.
Nga ana tjetër, statistikat e përgjithshme të Hamitit tregojnë një shpërndarje të gjerë në kampionat, me ndeshje të drejtuara edhe për Laçin (45), Kukësi (39), Skënderbeu (31), si dhe ekipe të tjera si Egnatia, Vllaznia, Dinamo, Bylis dhe Flamurtari. Megjithatë, Flamurtari vlerësoi se përvoja e tij në disa ndeshje të fundit ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme që sipas klubit kanë ndikuar në rrjedhën e lojës, duke krijuar shqetësime mbi standardin e gjykimit dhe konsistencën e vendimmarrjes.
PANORAMASPORT.AL













