Kapiteni Lulaj: Elbasani pa presion, kemi ende shanse për 4-shen
Elbasani e ka lënë pas humbjen me Dinamon dhe fokusi është aktualisht te përballja e së dielës me Laçin.
Një sfidë, ku verdheblutë kërkojnë të marrin maksimumin e mundshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mbajnë gjallë shpresat për në “Final 4”. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni Bruno Lulaj pohon se skuadra nuk ka presion për të fituar, por synimi është që të merret maksimumi. Ai e sheh ende të hapur garën për “Final 4” dhe premton se Elbasani nuk do të dorëzohet deri në fund, pasi ka humbur një betejë, por jo luftën.
Lulaj, si e prisni ndeshjen me Laçin?
Është një përballje e rëndësishme, sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe duam patjetër të dalim me tri pikët. Kundërshtarin e respektojmë, por normalisht në situatën ku ndodhemi na bën punë vetëm fitorja për të arritur objektivat e klubit.
Jeni nën presion për pikët, duke qenë se vini edhe pas humbjes me Dinamon?
Presioni për pikë është për çdo skuadër dhe në çdo ndeshje. Nuk kemi presion ekstra për faktin se vijmë pas një humbjeje. Në fund të fundit, kemi humbur një ndeshje, ndërsa janë në lojë shumë të tjera.
Tani jeni 8 pikë larg 4- shes së parë. Si e shihni këtë luftë deri në fund?
Tetë pikë nuk janë pak, por edhe nuk janë shumë, sepse ka ende shumë ndeshje përpara. Ne kemi humbur një nga betejat për momentin, por lufta është e gjatë dhe deri në fund detyra jonë është të japim maksimumin në fushën e lojës dhe të marrim më të mirën.
Çfarë i mungon Elbasanit, në krahasim me skuadrat që janë më sipër në renditje?
Duhet të kuptojmë se për një ekip që vjen nga Kategoria e Parë nuk është e lehtë të rivalizojë për kreun. Ne jemi aty, duke rivalizuar dhe nuk është pak. Rivalët ndoshta kanë më shumë eksperiencë, sepse u bënë vite që pretendojnë në Superiore dhe ne e kemi vuajtur pak këtë fakt.
Mos duhet që Elbasani të mendojë më shumë për Kupën tani?
Jo, aspak. Kampionati ka pjesën e vet dhe Kupa të vetën. Ne i kemi kapacitetet që të luftojmë në të dyja frontet dhe këtë do të bëjmë. Tani të shpresojmë për më të mirën, por ne do të jemi aty duke luftuar në çdo ndeshje.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL













