Kapiteni i Bylisit flet para sfidës me durrsakët: Nuk dalim pa gjë nga “Niko Dovana”
Bylisi do të kërkojë një rezultat pozitiv edhe në duelin e radhës dhe në Ballsh për këtë janë duke punuar si stafi ashtu edhe skuadra bardhekuqe.
Lojtarët nga ana e tyre kanë besim se me lojërat që kanë realizuar së fundmi apo formën e arritur, kontingjenti ka mundësi për më shumë. Në prag të duelit me Teutën ka folur Marin Abazaj, kapiteni i Bylisit, një lojtar me grintë dhe i fortë fizikisht, i cili po luan më së shumti qendërmbrojtës këtë sezon, ndonëse e nisi para mbrojtjes.
Abazaj është një nga lojtarët me eksperiencë te Bylisi, por që kanë disa vite me fanellën bardhekuqe, ka mbajtur edhe shiritin dhe ai ka besim se në duelin e radhës, ecuria do të jetë pozitive, pse jo edhe në rritje të nivelit të skuadrës në përgjithësi. Për “Panorama Sport”, Marin Abazaj, pogradecari i Bylisit e nis kështu prononcimin e tij.
“Fitorja e parë me Partizanin erdhi pak me vonesë, por siç thotë një shprehje e urtë popullore, ‘më mirë vonë se kurrë’. E kërkuam suksesin me Tiranën, edhe me Flamurtarin e Egnatian, por nuk ja dolëm. Tashmë duhet që të shohim përpara dhe jemi fokusuar te ndeshja e radhës me Teutën në Durrës. Luajmë një duel tjetër mjaft interesant dhe për mendimin tim po aq i fortë sa ato që kanë kaluar. Duhet të shtrëngohemi dhe të bëjmë maksimumin, pasi na duhen sa më shumë pikë tani në javët e para të garës”, tha Marin Abazaj, një nga titullarët e Bylisit.
FORMACIONI – Bylisi ka pasur lëvizje në formacion, surpriza në prag të dueleve por më së shumti edhe të detyruar nga mungesat. Pezullime nga kartonët e kuq siç ka ndodhur me Mustafa e Peralta, por edhe dëmtime siç janë Bruno e Përgjoni që kanë zgjatur disi. Por, nesër në “Niko Dovana”, mallakastriotët pritet që mund të bëjnë ndryshime në 11-shen bazë. Pasi janë gati Bruno, Peralta e Përgjoni. Takim si ky në Durrës kërkon eksperiencë dhe muskuj. Ndaj edhe Josa do të lëvizë çdo gjë që të besuarit e tij të mbajnë ritmin. Me shumë gjasa, kjo mund të jetë 11-shja ndaj Teutës në “Niko Dovana”, në sfidën që starton sot në orën 17:00.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













