Kampionët e Rrogozhinës me moral të lartë për testin “Flamurtari”, Egnatia synon vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2025 | 12:28

Kampionët e Rrogozhinës me moral të lartë për testin “Flamurtari”, Egnatia synon vazhdimësinë

Egnatia vjen në ndeshjen e radhës me Flamurtarin me moral të lartë, pas dy fitoreve radhazi që kanë rritur besueshmërinë e skuadrës dhe kanë treguar stabilitetin e saj në Superiore.

EGNATIA

Kampionët e Rrogozhinës kanë treguar se dinë të menaxhojnë ndeshjet dhe të ruajnë avantazhin e tyre, duke mos pësuar gol në dy sfidat e fundit. Kjo tregon se ekipi ka gjetur ekuilibrin e duhur mes repartit mbrojtës dhe sulmit, duke kombinuar organizim, disiplinë dhe efikasitet. Suksesi në këto dy ndeshje ka ardhur kryesisht nga prapavija, ku lojtarët kanë treguar kujdes dhe kontroll në detyrat e tyre, duke parandaluar rreziqet për gol. Në të njëjtën kohë, repartet sulmuese kanë shfaqur aftësi për të finalizuar rastet, duke e bërë skuadrën të rrezikshme dhe të vështirë për t’u ndalur. Ky kombinim ka krijuar një bazë të fortë për vazhdimësinë e kampionëve në sezonin e ri dhe tregon një organizim të qëndrueshëm nga çdo repart i ekipit.

TESTI I VLORËS – Ndeshja e radhës në Vlorë me Flamurtarin do të jetë një provë e rëndësishme për Egnatian. Vlonjatët, pavarësisht se kanë nisur kampionatin me rezultate të ndryshme nga pritshmëritë, janë një skuadër e investuar dhe e fortë, e cila synon të tregojë vlerën e saj në fushën e vet. Ndeshja e së dielës nuk është vetëm për tre pikët, por edhe për të treguar vazhdimësinë dhe forcën e Egnatias pas rezultateve pozitive të dy javëve të fundit. Dueli në Vlorë pritet të jetë sfidues, pasi skuadra vendase kërkon të tregojë fuqinë e saj në fushën ku nuk ka luajtur ende këtë sezon, duke e bërë testin edhe më të rëndësishëm për kampionët në fuqi. Nëse kampionët kalojnë me sukses edhe këtë sfidë, mund të thuhet pa frikë se janë rikthyer vërtet ekipi që ka në mendje tekniku Edlir Tetova dhe ato luhatjet e fillim sezonit për shkak të ndryshimeve të mëdha në organikë janë lënë pas.

GRUPI I PLOTË – Grupi i lojtarëve për këtë ndeshje pritet të jetë i plotë, pa mungesa nga dëmtimet apo kartonët, gjë që i jep trajnerit mundësinë të bëjë zgjedhjet më të mira për formacionin dhe të ketë alternativa të shumta për ndryshime taktike gjatë lojës. Afrimet e reja të merkatos kanë filluar të japin efekt që në javët e para, duke rritur konkurrencën brenda ekipit dhe duke përmirësuar cilësinë e skuadrës në të gjitha repartet. Mbrojtja e fortë dhe organizimi në fushë, së bashku me sulmin efikas, i japin Egnatias një avantazh të dukshëm ndaj çdo kundërshtari. Me këto elemente, Egnatia synon të marrë një tjetër rezultat pozitiv në Vlorë dhe të konfirmojë se dy fitoret e fundit nuk ishin rastësi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL