Kampionët e Egnatias përballë Partizanit, kërkohet thyerja e “tabusë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2026 | 11:05

Kampionët e Egnatias përballë Partizanit, kërkohet thyerja e “tabusë”

Egnatia ka ndërtuar një bilanc përgjithësisht pozitiv përballë rivalëve direktë në sezonet e fundit, duke treguar se di të marrë maksimumin në ndeshjet që peshojnë për objektivat madhorë.egnatia-partizaniHerë ka dalë fituese, herë është ndalur apo mposhtur, por në shumicën e rasteve kampionët kanë ditur të reagojnë dhe të mbajnë ritmin në duelet direkte. Ky edicion i Superiores paraqitet ndër më të fortët e viteve të fundit, me pesë skuadra që duken qartësisht në garë për titullin: Vllaznia, Egnatia, Elbasani, Dinamo dhe Partizani. Diferencat janë të vogla dhe çdo përballje direkte mund të ndikojë ndjeshëm në renditje.

Pikërisht në këtë kontekst vjen edhe sfida e radhës për rrogozhinasit, të cilët përballen me Partizanin, një kundërshtar që aktualisht po kalon një moment mjaft të mirë forme. Megjithatë, objektivi i të besuarve të Edlir Tetovës është i qartë: tri pikët dhe ruajtja e kontaktit me kreun. Në një kampionat kaq të balancuar, çdo hap fals mund të kushtojë, ndaj Egnatia synon të konfirmojë ambiciet dhe të japë një sinjal të fortë në garën për titull.

SHIFRAT – Përtej dëshirës dhe formës momentale, historia e përballjeve mes dy skuadrave tregon se Partizani ka qenë tradicionalisht një rival i vështirë për Egnatian. Statistikat flasin qartë: në 23 ndeshje të zhvilluara mes tyre, Egnatia ka fituar 6, ka barazuar 10 dhe është mposhtur 7 herë. Kjo përkthehet në një përqindje fitoreje prej 26.1%, më e ulëta krahasuar me rivalët e tjerë direktë të këtij sezoni. Përballë Dinamos, kampionët kanë një bilanc shumë më pozitiv, me 50% të ndeshjeve të fituara. Ndaj Vllaznisë, përqindja e fitoreve shkon në 40%, ndërsa me Elbasanin regjistrohet 28.6%. Këto të dhëna tregojnë se Partizani ka qenë kundërshtari që i ka hapur më shumë probleme Egnatias në përballjet direkte. Numri i lartë i barazimeve (10 në total) dëshmon gjithashtu për ekuilibrin dhe rivalitetin e fortë mes skuadrave, ku shpesh detajet kanë bërë diferencën.

SFIDË PËR STATISTIKAT DHE TITULLIN Ndeshja e radhës përfaqëson më shumë sesa thjesht tri pikë. Për Egnatian, ajo është një mundësi për të përmirësuar bilancin historik ndaj “të kuqve”, për të thyer një lloj “tabuje” statistikore dhe për të forcuar pozitat në garën për titull. Nëse arrijnë të fitojnë, rrogozhinasit jo vetëm që do të mbeten të ngjitur me kreun, por do të dërgojnë edhe një mesazh të qartë për rivalët: janë gati të konfirmojnë rolin e pretendentes serioze deri në fund. Nga ana tjetër, çdo rezultat tjetër do ta mbante të hapur garën dhe do të shtonte presionin në javët në vijim. Me kampionatin që hyn në fazën vendimtare, duelet direkte po marrin peshë specifike. Për Egnatian, përballja me Partizanin është testi i radhës, një provë force, karakteri dhe ambicieje në një sezon ku çdo pikë mund të vlejë sa një titull.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL