Kampionët drejt historisë, Egnatia për finalen e katërt radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2026 | 13:10

Kampionët drejt historisë, Egnatia për finalen e katërt radhazi

Egnatia është vetëm një hap larg historisë. Skuadra rrogozhinase, që në vitet e fundit ka kthyer Kupën e Shqipërisë në “territorin” e saj më të fortë, synon të arrijë finalen e katërt rresht, një objektiv që do ta ngjiste përfundimisht në elitën e klubeve më konstante të këtij kompeticioni.

EGNATIA

Pas tri finales radhazi (2022–23, 2023– 24 dhe 2024–25), ku ka arritur të fitojë dy herë trofeun dhe të mbetet protagoniste absolute, Egnatia nuk shihet më si surprizë. Përkundrazi, ajo hyn në çdo ndeshje me peshën e favoritit dhe me një identitet të qartë: skuadër pragmatike, e organizuar dhe jashtëzakonisht e rrezikshme në momentet vendimtare. Ky rrugëtim nuk është rastësi. Në pak sezone, klubi ka ndërtuar një strukturë solide, duke kombinuar lojtarë me eksperiencë dhe elementë të rinj që kanë sjellë energji dhe uri për sukses. Stabiliteti në pankinë dhe filozofia e qartë e lojës kanë bërë që Egnatia të jetë një nga ekipet më të vështira për t’u mposhtur, sidomos në ndeshje direkte ku çdo detaj bën diferencën. Synimi për finalen e katërt rresht nuk është thjesht një statistikë.

Është një deklaratë force. Historikisht, vetëm klube me peshë si Dinamo, Partizani, Vllaznia apo Flamurtari kanë arritur të krijojnë cikle dominimi me prezenca të vazhdueshme në finale. Tani, Egnatia është gati të hyjë në këtë listë elitare. Një tjetër element që e bën këtë objektiv edhe më domethënës është fakti se rruga drejt finales nuk ka qenë kurrë e lehtë. Kupat janë gjithmonë kompeticione të paparashikueshme, ku një gabim i vetëm mund të të kushtojë eliminimin. Megjithatë, Egnatia ka treguar se di të menaxhojë presionin, të luajë me maturi dhe të godasë në momentin e duhur, cilësi që dallojnë skuadrat e mëdha. Në prag të këtij objektivi historik, besimi në kampin rrogozhinas është i lartë. Lojtarët kanë fituar mentalitet fituesi, ndërsa tifozët po jetojnë një nga periudhat më të bukura në historinë e klubit.

Një tjetër finale nuk do të ishte vetëm vazhdimësi, por edhe konfirmim i një epoke të re në futbollin shqiptar. Nëse Egnatia arrin të sigurojë finalen e katërt rresht, ajo jo vetëm që do të vendosë një standard të ri për veten, por do të dërgojë një mesazh të qartë për të gjithë rivalët. Dominimi i saj në Kupën e Shqipërisë nuk është i përkohshëm, por pjesë e një projekti të qëndrueshëm dhe ambicioz.

PANORAMASPORT.AL