Kampione në shtëpi, por Vllaznia dështon keq në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2025 | 23:29

Kampione në shtëpi, por Vllaznia dështon keq në transfertë

Ndeshjet e zhvilluara në fushën e vet po rezultojnë vendimtare për renditjen e skuadrave në Kategorinë Superiore për sezonin 2025/26. Pas nëntë takimeve shtëpiake për secilën ekip, diferencat mes pretendentëve janë të qarta, sidomos në majën e tabelës. Vllaznia konfirmohet si skuadra më e fortë në shtëpi. Shkodranët kryesojnë klasifikimin me 22 pikë, falë shtatë fitoreve, një barazimi dhe vetëm një humbjeje.

vllaznia

Me 17 gola të shënuar dhe vetëm 6 të pësuar, Vllaznia ka treguar stabilitet dhe siguri në çdo ndeshje të luajtur para tifozëve të saj. Pas saj vjen një grup prej tre skuadrash me nga 18 pikë Dinamo, Egnatia dhe Elbasani. Dinamo, fituese e Kupës së Shqipërisë 2025, ka pasur një bilanc shumë të mirë golash (17:7), ndërsa Egnatia, kampione në fuqi, vazhdon të jetë konstante edhe këtë sezon, me një mbrojtje solide dhe vetëm 6 gola të pësuar në shtëpi. Elbasani, ndonëse më pak produktiv në sulm, ka ditur të marrë maksimumin e pikëve në ndeshjet kyçe.

Në mesin e tabelës pozicionohet Teuta me 13 pikë, ndërsa Bylis dhe Partizani ndajnë nga 12 pikë secila. Partizani, megjithëse ka marrë pikë të rëndësishme, vuan mungesën e efikasitetit në shtëpi, çka reflektohet edhe në golavarazhin negativ. Vora, kampione e Kategorisë së Parë 2025, ka bërë një paraqitje të denjë në ndeshjet shtëpiake me 11 pikë, duke treguar se mund të konkurrojë denjësisht në elitë. Ndërkohë, Flamurtari ka hasur vështirësi të mëdha, duke grumbulluar vetëm 7 pikë pas 9 ndeshjesh. Situata më shqetësuese paraqitet te Tirana, e cila mbyll klasifikimin në shtëpi me vetëm 3 pikë, pa asnjë fitore, tre barazime dhe gjashtë humbje. Performanca e dobët në fushën e vet po kthehet në një problem serioz për bardheblutë këtë sezon.

TRANSFERTAT – Ndeshjet në transfertë po luajnë një rol vendimtar në rrjedhën e sezonit 2025/26 në Kategorinë Superiore, duke nxjerrë në pah skuadrat që dinë të marrin rezultate edhe larg fushës së tyre. Pas 9 ndeshjeve të luajtura si mysafir, diferencat mes ekipeve janë të dukshme, veçanërisht në krye të renditjes. Egnatia konfirmohet si skuadra më e fortë në transfertë. Kampionët në fuqi kryesojnë klasifikimin e ndeshjeve jashtë fushe me 19 pikë, falë 6 fitoreve, 1 barazimi dhe 2 humbjeve.

Me vetëm 5 gola të pësuar dhe një lojë të balancuar, Egnatia tregon pjekuri taktike dhe stabilitet edhe në ndeshjet më të vështira. Në vendin e dytë renditet Elbasani me 15 pikë, duke treguar një performancë solide si mysafir. Me 11 gola të shënuar dhe 7 të pësuar, verdheblutë kanë qenë ndër ekipet më efikase jashtë shtëpisë. Pas tyre vjen Dinamo me 14 pikë, e cila ka ditur të marrë rezultate të rëndësishme në transfertë, duke ruajtur një bilanc pozitiv golash. Teuta pozicionohet në vendin e katërt me 12 pikë, falë një numri të lartë barazimesh, çka tregon një ekip të vështirë për t’u mposhtur jashtë fushe.

Partizani ndjek me 11 pikë, por me një golavarazh negativ, duke reflektuar luhatje në performancë larg Tiranës. Në mesin e poshtëm të tabelës gjendet Vllaznia, e cila ndonëse shumë e fortë në shtëpi, ka hasur vështirësi në transfertë, duke grumbulluar vetëm 8 pikë. Po aq pikë ka edhe Vora, e cila, megjithëse debutuese në elitë, ka arritur disa rezultate pozitive jashtë fushe. Flamurtari dhe Tirana ndajnë nga 7 pikë, me probleme të theksuara në fazën mbrojtëse, ndërsa Bylisi mbyll klasifikimin e ndeshjeve si mysafir me vetëm 6 pikë, duke pësuar 17 gola në 9 transferta. Klasifikimi i ndeshjeve në transfertë tregon qartë se Egnatia është skuadra më konstante dhe më e pjekur jashtë fushe, ndërsa disa ekipe të forta në shtëpi po vuajnë dukshëm larg tifozëve të tyre.

PANORAMASPORT.AL