Java vendimtare, 90 minuta nga ndarja e fazave në Kategorinë e Parë. Betejë e hapur në çdo front
Kategoria e Parë hyn në një fundjavë vendimtare me javën e 22-të, e fundit për fazën e dytë të sezonit 2025-2026.
Diferencat janë ngushtuar në krye, gara për zonën “play off” mbetet e hapur dhe çdo pikë mund të përcaktojë kalendarin e fazës së tretë. Me skemën që favorizon gjashtë skuadrat e para (6 ndeshje në shtëpi, 5 jashtë), beteja për pozicionim bëhet edhe më e fortë. Në krye, diferenca është minimale. Në mes, llogaritë janë të hapura. Në fund, beteja për pikë mbijetese vazhdon.
Java 22 nuk është thjesht mbyllja e një faze, është momenti që ndan ambiciet reale nga objektivat e rishikuara. Është një kufi mes dy fazave dhe një provë force për ambiciet reale të çdo skuadre. Fundjava pritet të japë përgjigje të qarta, ose të ndezë edhe më shumë garën. Renditja përfundimtare e kësaj jave përcakton rrugëtimin për çdo ekip përgjatë fazës së tretë të Kategorisë së Parë.
TË SHTUNËN
Laçi – Besa, ora 13:30 Laçi vjen me shtatë fitore radhazi dhe vetëm tre pikë larg kreut. Bardhezinjtë janë skuadra më në formë e momentit dhe synojnë të mbajnë ritmin ndaj një Besa që kërkon stabilitet dhe pikë sigurie për fazën e tretë. Kurbinasit vijnë në këtë sfidë pa golashënuesin Olsi Myrta, i cili është i pezulluar nga numri katër i kartonëve të verdhë.
Luftëtari – Kastrioti, ora 13:30 Përballje delikate mes Luftëtari dhe Kastrioti. Krutanët synojnë të konsolidojnë pozicionin në mesin e tabelës, ndërsa vendasit kanë nevojë për pikë për të shmangur fundin e renditjes.
Kukësi – Korabi, ora 13:30 Sfidaë mbijetese për Kukësin, që pret një Korabi gjithmonë të rrezikshëm. Verilindorët e trajnerit Bledi Kadiu kanë nevojë urgjente për reagim për të mos e komplikuar më tej sezonin, duke e prerë më herët biletën e rënies. Edhe dibranët janë në ujëra të turbullta.
Skënderbeu – Apolonia 16:30 Kryesuesit e Skënderbeu kthehen në shtëpi pas barazimit me Korabin dhe kërkojnë rikthimin te fitorja. Përballë do të kenë Apoloninë, që ka treguar se di të marrë pikë ndaj ekipeve të forta. Presioni është mbi korçarët, pasi çdo hap fals mund të rihapë plotësisht garën për vendin e parë, pasi dihet se diferenca është shkurtuar në 3 pikë.
TË DIELËN
Pogradeci – Burreli, ora 13:30 Pogradeci, i treti në renditje, synon rikthimin te fitorja pas barazimit të fundit. Përballë ka Burrelin, që ndan të njëjtin objektiv për të mbyllur fazën me rezultat pozitiv.
Iliria – Lushnja, ora 13:30 Vëmendja është te vendi i gjashtë, ku Iliria mbron pozicionin ndaj Lushnjës. Një rezultat negativ mund të ndryshojë balancat për fazën e tretë, pasi dihet se synimi për fushëkrujasit mbetet zona “play off”. Ndërkohë Lushnja po lufton për sigurimin e mbijetesës pa ndeshje shtesë, apo për të shmangur edhe më të keqen.
PANORAMASPORT.AL













