“Janë 10 lojtarë që nuk duhen larguar”, ish-drejtori i Flamurtarit” qan” rënien por gjen anën pozitive të këtij edicioni: Si në Gjermani me gra dhe vajza të bukura
Vangjel Laluci i jep notën 10-të Sinan Idrizit dhe tifozëve dhe “vesh” me përgjegjësi për rënien nga Superiorja , njerëzit që ndërtuan skuadrën. Ish drejtori i klubit thotë se Idrizi u “dorëzoi çelësat” por të besuarit nuk ia shpërblyen.

Me përgjegjësi direkte vesh ndër të tjera edhe trajnerin Françesko Moriero që e cilëson «kokëfortë» me problemet në mbrojtje që nuk i rregulloi kurrë. Gjatë një interviste të gjatë për «Panorama Sport», Laluci jep edhe propozimet e tij për futbollistët që duhet të qëndrojnë. Është kundër shitjes së Erald Maksutit që sipas tij duhet të jetë lider dhe të udhëheqë skuadrën në Kategorinë e Parë. Për trajnerin e ri, preferon të jetë me eksperiencë dhe shqiptar.
Laluci, Flamurtari ra nga Superiorja, të vjen keq?
Më vjen shumë keq. Jam si të gjithë shumë i mërzitur. Presidenti duhet ta ketë të qartë se çfarë rruge duhet të ndjekë, sepse mund të ketë edhe ndryshim të politikës së klubit. Unë mendoj se përveç të keqes që kanë rënë nga kategoria ka edhe një të mirë.
Cila është e mira sipas jush?
Duke qenë në Kategori të Parë ti mund të afrosh djem të Vlorës por edhe të Shqipërisë. Në këtë rast ne duhet të përfitojmë. Pas stuhisë vjen edhe kohë e mirë. Hapet koha…
Mendoni se duhet të ketë ndryshime rrënjësore në skuadër?
Për mendimin tim jo i gjithë ekipi duhet ndryshuar. Unë i mbetem besnik një gjëje. Ajo mbrojtje që ne kemi pasur komplet duhet të shkrihet. Nuk e meriton asnjë nga ata. Unë do të mbaja 10 lojtarë.
Cilët janë këta lojtarë?
E para duhet të qëndrojë Pjeshka për eksperiencën dhe karakterin që ka. Maksusti po e po. Oshafi duhet të qëndrojë pasi e njeh kategorinë dhe do të na bëjë shumë punë. Lushaj patjetër, pasi u afirmua në Superiore. Duhet të jetë në çdo ndeshje në formacion dhe ta justifikojë. Portieri Aleskovski është vlerë e shtuar dhe je gjithnjë i ngrohtë me të. Në mesfushë duhet të rri Mbe. Më ka lënë shije të mirë. Diavara dua që të qëndrojë. Ememe patjetër. Ai pavarësisht pati dëmtime, por ndeshjet e fundit pati disa gjëra. Peralta ishte lojtar që do të na shërbejë. Duhet të largohen Bintsuka, Leo Melo, Kaso pasi nuk treguan gjë. Kemi lojtarë shumë të mirë tek të rinjtë dhe ekipet B. Duhet të hedhim sytë. Nuk duhet të merren lojtarë me mik. Sa më shumë lojtarë vendas të kemi, jo vlonjatë domosdo, por nga Shqipëria. Maksuti nuk është vlonjat, është shkodran por e ka justifikuar.
Flitet se Maksuti do të shitet në një klub rus. Keni një koment?
Për Maksutin unë kam bërë një deklaratë dhe kam thënë: Presidenca duhet të shikojë kontratën e këtij djali sepse ai lojtarë do të ketë të tjera pretendime. Sado shtrenjtë që ta shesë Flamurtarin këtë vit, do të fitonte më shumë po ta mbante…edhe ai do të rritet. Pavarësisht që do të jemi në Kategori të Parë. Fazë e fundit ai mori tiparet e një lideri dhe ekipi ka nevojë për atë. Ne mezi e krijuam dhe ai duhet ta marrë ekipin përpara. Nuk duhet ta lejojmë që të ikë.
Duhet t’i besojë Flamurtari dyshes Ribaj-Liçaj në Kategorinë e Parë?
Kjo nuk ishte provë për ta. Ata e morën skuadrën në kushte jo normale. Nëse duan ti mbajnë t’u japin besim. Kanë eksperiencë si futbollistë por jo si trajnerë. Flamurtari duhet të shikojë tek eksperienca dhe të marrin trajner shqiptar sepse e di mentalitetin. Ne për fat të mirë kemi trajnerë shumë më të mirë nga ata që kanë ardhur këtu. Duhet të fokusohemi tek trajnerët shqiptarë.
Çfarë nuk ka funksionuar në këtë skuadër?
Ne duhet të kemi parasysh edhe ndërtimin e strukturës por edhe në mënyrë funksionale. Nëse nuk të funksionon ti nuk ke arritur asgjë. Të gjithë këta, drejtuesit teknikë aty në klub bëjnë kritikën konstruktive, sepse paguhen për atë punë. Në formën kritike dhe të këshillimit. Sado i mirë të jetë një trajner ka nevojë për këshillë, diskutim…Aty ka goxha elementë dhe shumë mirë mund të marrësh një mendim. Por kjo nuk ka funksionuar. Unë kam parë edhe në tribunë miqtë tanë futbollistët e vjetër. Ata me shumë civilizim dhe qytetari duhet të thonë mendimin e tyre.
Cili është vlerësimi juaj për trajnerin Karlos Garsia?
Garsia mbeti një figurë apatike që nuk tregoi asnjë gjë. Nuk kam përshtypje të mirë për të.
Po për trajnerin italian Françesko Moriero?
Ndeshjet e para më la një përshtypje që donte të ndryshonte. U duk sikur pati diçka pozitive por ai mbeti stoik i vetëm një skeme. Nuk mund të kishte fleksibilitet. Ai ishte kapriçoz, ngulte këmbë në të tijën dhe nuk pyeste njeri. Kishte koncept denigrues për repartin e mbrojtjes. Italianët janë të fokusuar te mbrojtja, por ai jo…Që ne ramë nga kategoria, ka qenë kokëfortësia e Morieros që nuk ndryshoi mbrojtjen.
Por për dyshen Ribaj-Liçaj çfarë mendon?
Ribaj dhe Liçajt u mbeti pjesa e fundit. Atyre ua kishin vendosur gjellën në zjarr të tjerët dhe e kishin djegur. Këta donin ta shpëtonin. Riparuan mbrojtjen dhe morën rezultate të mira. Po ta kishte bërë Moriero më përpara këtë gjë ne nuk do të binim nga Kategoria Superiore.
Nëse “futesh në lëkurën” e Sinan Idrizit, mendon se është i zhgënjyer nga ata që i besoi?
Po! Zoti Idrizi ndihet i zhgënjyer! Çfarë mund të bënte më shumë presidenti? Ai rregulloi stadiumin që është bërë si impiant europian. E dini ju që është luks të të thotë presidenti merr lojtarët që do. Këtë e ka bërë Idrizi. Këtu kanë gabuar ata që kanë bërë merkaton. Por kjo është poshtërsi kur presidenti të beson dhe ti… Sinani luajti një kartë pozitive, donte të bënte shou të madh dhe të vërtetë me Flamurtarin këtë sezon që të dilte kampion dhe më e pakta të qëndronte tek më të mirët e Superiores. Zhgënjimi i tij është i madh. Investimi u bë. Atëherë çfarë mungon? Idrizi u dorëzoi çelësat njerëzve dhe u besoi. Sinani e ka karakter që besonte tek ne. Unë kam drejtuar Flamurtarin para 10 vitesh. Nuk është naivitet, por ai të lë që të punosh dhe ka të drejtë që të mërzitet. Më vjen shumë keq.
Po për tifozët ju vjen gjë?
Për publikun më vjen shumë keq. Nëse ka një diçka që kemi notën 10 është publiku. Ne në rang kombëtar kemi ngritur standardin e publikut. Kishte shumë tifozë në stadium por edhe në cilësi. Në tribunën qendrore ne kishim shumë femra. Sikur ishim në Gjermani, me gra dhe vajza të bukura e të qeshura. Ne e realizuam këtë dhe është një standard i ri në Shqipëri dhe më ka pëlqyer. U krijua një zhvillim i ri dhe këto gjëra duhen parë. Edhe Federata humbi. Kur shikoje atë fushë dhe atë investim ishte një ëndërr…Unë kam besim se edhe në Kategorinë e Parë, stadiumi do të ketë po të njëjtin standard dhe të njëjtët tifozë.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













