Iu bashkua Vllaznisë në ditët e fundit, Dros kërkon të jetë menjëherë protagonist
Pavarësisht se është afruar te Vllaznia vetëm në ditët e fundit, Kristian Dros duket se do të jetë menjëherë protagonist me kuqeblutë. Moldavi, i cili kaloi nga Elbasani tek kuqeblutë, duket se gëzon një formë shumë të mirë fizike dhe ritmi është shumë i kënaqshëm nga ana e 27- vjeçarit.

Në proceset e fundit stërvitore, mesfushori ka treguar një ritëm shumë më të lartë se sa të afruarit e tjerë së fundmi tek shkodranët. Duke hedhur kështu kandidaturën për ta nisur si titullar që në debutim aventurën e tij në radhët e 9 herë kampionëve të vendit. Në provat që ka zhvilluar trajneri Martini në këto ditë para ndeshjes me Egnatian, është vënë re se Dros ka qenë pjesë e futbollistëve që konsiderohen si titullarë. Madje duke u imponuar edhe në stërvitje ndaj shokëve të skuadrës, fakt që ka kënaqur shumë stafin teknik të Vllaznisë.
Që duket se nuk do presë shumë të shtatlarti të ambientohet menjëherë me skuadrën. Po ashtu gjendja fizike e Krymit, që ende nuk është në 100% të tijin për shkak të një lëndimi që e shoqëron që nga ndeshjet e “Conference League”, rrit kuotat që ish-futbollisti i Elbasanit ta nisë si titullar sfidën e së premtes ndaj Egnatias.
Ndryshe mund të thuhet për dyshen Kastrati-Kallaku, që duket se ende “vuajnë” ritmin e stërvitjeve dhe momentalisht nuk konsiderohen si titullarë. Dhe për ta do të pritet edhe disa kohë për të kapur ritmin në 100%, pavarësisht se edhe për dyshen e sipër përmendur besohet të ketë minuta gjatë lojës në duelin ndaj rrogozhinasve.
PANORAMASPORT.AL













