Ish-futbollisti Gjika: Elbasani të mendojë Vllazninë, jo Bylisin me Partizanin
Elbasani luan këtë të shtunë një pjesëz të rëndësishme të sezonit, ku kërkohet që së paku të mos dalin të mundur nga ndeshja me Vllazninë.

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit
Duket se të gjitha “kartat” e trajnerit Ivan Gvozdenoviç janë në rregull, ku vijnë pas një ecurie prej katër fitoresh radhazi. Në prag të këtij dueli, por edhe rivalitetin me Partizanin, flet në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Dhimitër Gjika. Ai ka besim se mobilizimi maksimal i verdhebluve do të sjellë sukses para një Vllaznie që nuk e ka ndeshjen e jetës. Gjithsesi, ai ka edhe një këshillë për skuadrën.
“Me Vllazninë është një ndeshje me dy medalje. Me Elbasanin që kërkon patjetër fitoren dhe Vllazninë që deri-diku nuk ka interes për sa i përket katërshes, sepse e ka siguruar atë. Mobilizimin e shoh maksimal tek Elbasani dhe do dijë të marrë rezultatin që kërkon. Nuk duhet që ekipi të mendojë sesi del Partizani në Ballsh, por të mendojë për këtë 90 minutësh dhe të shkojë të zgjidhë gjithçka më pas në kryeqytet”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij Dhimitër Gjika.
RIVALITETI ME PARTIZANIN – Praktikisht, të gjithë skenarët të çojnë te një duel direkt në fund mes tyre, me Gjikën që i beson shumë momentit të mirë të elbasanasve, përballë avantazhit fushë të të kuqve.
“Në intervistën e fundit që kemi bërë bashkë, Partizani ka qenë tetë pikë para Elbasanit dhe kam thënë që diferenca do të ngushtohet. Të dyja skuadrat kanë edhe nga një ndeshje për të luajtur, por mendoj se ajo që do ndajë gjithçka do të jetë finalja mes tyre. Prej disa ndeshjesh Elbasani po merr fitoren, edhe duke prodhuar lojë dhe kjo të jep besim se do dinë të bëjnë ndeshjen e duhur në fund. Nga ana tjetër, avantazhi i Partizanit është se luan në stadiumin e vet me tapetin artificial, diçka që e penalizon paksa Elbasanin, por që gjithsesi nuk mund të shërbejë si justifikim”, vijoi më tej ishmbrojtësi i Elbasanit.
THIRRJA PËR GJYKIMIN – Në fund, Gjika ka edhe një “merak”, por që beson se do të zgjidhet si duhet. Ai ka një thirrje për gjyqtarët, që të jenë në lartësinë që kërkohet dhe të mos ndikohen për të favorizuar njërën apo tjetrën skuadër.
“U bëj thirrje gjyqtarëve që të bëjnë kujdes në këto dy ndeshje dhe të mos ndikohen nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm. Për një ndeshje korrekte të gjithë do t’i japin dorën, pavarësisht sesi del, në të kundërt do të njollosen për shumë kohë. Gjithsesi, besoj se janë marrë masat që të gjykohen nga arbitra me eksperiencë, siç ka ndodhur ndeshjet e fundit, ku nuk ka pasur probleme me ta”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-futbollisti i njohur i skuadrës së Elbasanit, Dhimitër Gjika.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL













