Ironia e fatit me Shkëmbin/ Tirana nuk gjen qetësi, stadiumi bëhet sërish hall
Tirana rigjen fitoren, por nis halle të tjera. Ndonëse vazhdon të jetë e nënta në renditjen e përgjithshme, bardheblutë kanë marrë tre pikë të vlefshme, por tani duhet të gjejnë fushë ku të luajnë futboll.
Siç duket Bledi Shkëmbin e përndjek çështja e stadiumit. Sfida me Elbasanin është në “ajër”. “Arena Kombëtare” po rinovohet dhe gjasat janë vogla, që kjo ndeshje të luhet në kryeqytet. Bardheblutë nuk kanë pranuar që të luajnë në Elbasan. Për momentin, Durrësi mbetet si opsion për takimin e fundjavës. Gjithsesi, edhe kjo mundësi duhet të konfirmohet, pasi Teuta do të luajë vet dhe duhet që skuadrat të rakordojnë me njëratjetrën. Sipas FSHF-së dhe klubit Tirana, vendoset përfundimisht sot nga sektori i garave, se ku do të luhet ndeshja mes bardhebluve dhe Elbasanit.
STATISTIKAT– Bardheblutë këtë sezon janë për rekord, pasi në 24 takime që ka kalendari, së bashku me Kupën e Shqipërisë dhe ndeshjen e Europës, vetëm 6 prej tyre i kanë zhvilluar në kryeqytet. Skuadra si pritëse në “Arenën Kombëtare” ka luajtur vetëm pesë takime dhe një sfidë me Partizanin në transfertë. Janë 18 ndeshje të tjera zyrtare që Tirana i ka luajtur si udhëtuese, dhe si pritëse në Durrës, Lushnjë, Elbasan Vlorë, Vorë, Lacc, Rrogozhinë dhe Korçë. Shkurt, bardheblutë nuk kanë lënë asnjë qytet pa prekur këtë vit, duke kënaqur tifozët e tyre në rretë.
MUNGESAT – Edhe në këtë sfidë problem për Bledi Shkëmbin do të jenë mungesat që do të ketë. Kështu, është e sigurt, që Emanuel Ernest do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën me Bylisin, pas pamjeve VAR. Bardheblutë shpresojnë që sulmuesi të mos dënohet më shumë se dy javë, sepse në të kundërt humbet sfidën me Partizanin. I dyti lojtar që nuk do të jetë është Ismajli.
Mesfushori ka një tërheqje dhe humbet tre javë kampionat. Me shumë mundësi kthehet pas derbit. Në të njëjtën situatë është edhe Rimal Haxhiu. Edhe sulmuesi do të mungojë tre javë dhe nuk do të jetë as në sfidën derbi. Dy lojtarët e tjerë që janë në rrezik, mbeten Abel Abah dhe Aldi Gjumsi. Këtë javë do të shohim nëse dyshja do t’ia dalë që të luajë në sfidën me Elbasanin që është programuar për këtë fundjavë.
PANORAMASPORT.AL













