Inteligjenca Artificiale në shërbim të suksesit, Anglia po revolucionarizon futbollin
Inteligjenca Artificiale (AI) po lë një gjurmë gjithnjë e më të thellë në futbollin elitar dhe Anglia ndodhet në pararojë kur bëhet fjalë për përdorimin e saj në futbollin ndërkombëtar të meshkujve.

Nga ekzekutimi i penalltive dhe përkujdesja për mirëqenien e lojtarëve, deri te identifikimi i dobësive taktike të kundërshtarëve, AI është kthyer në një shtyllë themelore të planeve të “Tre Luanëve” për Kupën e Botës së verës së ardhshme. A mundet vërtet një teknologji që po ndryshon botën përreth nesh ta ndihmojë Anglinë të arrijë lavdinë në Amerikën e Veriut?
PENALLTITË, NJË REVOLUCION FALË AI-së
Përveç trajnerëve dhe fizioterapistëve që qëndrojnë pranë trajnerit Tomas Tuhel në stol, stafi i Anglisë përfshin edhe grupe analistësh, shkencëtarësh të të dhënave dhe ekipe të brendshme për zhvillimin e softuerëve. Ata përdorin mjete të ndryshme të inteligjencës artificiale, disa të blera nga kompani teknologjike të jashtme, disa të ndërtuara brenda Federatës Angleze të Futbollit (FA), për të analizuar të dhëna, për të zbuluar informacione me vlerë dhe për të krijuar prezantime që përdoren në takime, duke e bërë informacionin kompleks të kuptueshëm për trajnerët dhe lojtarët. Ideja kryesore është që lojtarët e Anglisë të marrin vendime më të mira në fushë, përfshirë edhe qasjen ndaj penalltive. “AI mund të tregojë disa prirje se ku i vendosin penalltitë lojtarët kundërshtarë, gjëra që ndoshta nuk i kishim marrë parasysh më parë,” shpjegon Rhys Long, i cili që nga viti 2016 është drejtues i departamentit të analizës dhe njohurive të performancës në FA. “Kur shkojmë në një Kupë Bote, kemi informacione për 47 skuadra për t’u analizuar, ku i ka goditur penalltitë çdo lojtar i çdo përfaqësueseje që nga mosha 16- vjeçare. Më parë na duheshin pesë ditë për të mbledhur të dhënat e penalltive të një skuadre të vetme. Me përdorimin e AI së, ky proces tani reduktohet në rreth pesë orë. Pastaj kjo përkthehet në një bisedë pesëminutëshe me portierin, për pesë sekonda ku shpresojmë të ndalet një penallti”. Në teori, pra, informacioni për penalltitë që gjendet në shishen e ujit të portierit Jordan Pikford është më i saktë dhe më i detajuar se kurrë më parë. Dhe rezultatet deri tani janë bindëse. Që nga ardhja e Long, rekordi i Anglisë në penallti është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa përdorimi i AI-së nga analistët ka ndihmuar edhe në uljen e presionit mendor për lojtarët anglezë kur zgjedhin se ku ta godasin topin. “Çështja e penalltive ma hapi vërtet mendjen”, tregon Konor Koady, pjesë e Anglisë në Euro 2020 dhe Kupën e Botës 2022. “Kishim një takim të madh para Europianit, në tabelë ishte një diagram që tregonte zonat ku ke më shumë gjasa të shënosh, dhe më pas secilit i jepnin informacion të personalizuar se ku mendonin se ishte më mirë të godiste”. Këto pamje bazohen si në prirjet e portierëve kundërshtarë, për shembull, nëse hidhen më shpesh në një krah, ashtu edhe në analizën e mënyrës se si secili lojtar i Anglisë preferon ta godasë topin. “Të thoshin se ku të gjuaje ta hiqte presionin, sepse ishte si të thoshin: ‘kjo është përgjegjësia jonë’. Ishte diçka për të cilën kishim nevojë”, shton Koady. Ky lloj analize funksionon vetëm nëse lojtarët janë të gatshëm të angazhohen me të dhënat dhe të kuptojnë informacionin që u jepet. “Lojtarët po bëhen gjithnjë e më të aftë në interpretimin e të dhënave të tyre”, thotë Long. “Sasia e informacionit që po përpiqemi të kuptojmë është rritur jashtëzakonisht shumë. Duhet ta filtroni gjithçka për të pasur një bisedë të qartë me trajnerin dhe më pas me lojtarin. Është punë përkthimi”. Anglia ka shënuar 23 nga 27 penallti gjatë lojës në vitet 2020, me nëntë lojtarë të ndryshëm që kanë marrë përsipër goditjet.
ANGLIA NË KRYE TË GARËS TEKNOLOGJIKE
Vitet e fundit, softuerët e futbollit të bazuar në AI janë zhvilluar në atë masë sa tani mund të ndjekin dhjetëra mijëra lëvizje dhe ngjarje në fushë çdo sekondë, të identifikojnë modele taktike gjatë lojës live në mënyrë që analistët t’i gjejnë menjëherë në video për rregullime gjatë ndeshjes ose në pushimin e pjesës së parë, si edhe të krijojnë grafika në çast. Edhe pse Spanja, Franca dhe Argjentina kanë qenë më të suksesshme në turnetë e fundit ndërkombëtarë, dhe do të jenë ndër favoritët edhe vitin e ardhshëm, besohet gjerësisht se Anglia, Gjermania dhe SHBA janë në ballë të përdorimit të AI-së për të fituar avantazh. “Anglia ka burime shumë të mëdha dhe ka investuar fuqishëm në këtë drejtim,” thotë Allistair McRobert, profesor i analizës së performancës në Universitetin Liverpool John Moores. “Ata kanë inxhinierë të të dhënave, analistë dhe specialistë performance pas kuintave, në të gjitha nivelet, nga moshat e reja deri te ekipi i parë. Ne bëmë një punë me një nga analistët që punon me Anglinë për ndërtimin e njohurive taktike. Kur kaluam nga të dhënat te një tavolinë e madhe në stilin ‘Subbuteo’ për ta demonstruar, lojtarët u përfshinë shumë më tepër në aspektet taktike, sepse njihnin asetet që kishte portieri i tyre, dhe kjo ndryshoi mënyrën se si luanin kundër kundërshtarit”. Në St George’s Park, Anglia ka ndërtuar një sallë interaktive takimesh me ekrane me prekje dhe tabela taktike 3D, ku lojtarët përfshihen aktivisht në idetë e reja për lojën ekipore, pasi dëgjojnë prezantimet e bazuara në të dhëna.
MIRËQENIA E LOJTARËVE NËN MONITORIMIN E AI-së
Inteligjenca artificiale nuk përdoret nga Anglia vetëm për çështjet në fushë, por edhe për të monitoruar mirëqenien e lojtarëve. “Ajo që bën AI është të nxjerrë në pah gjëra që ndryshe mund të na shpëtonin”, shpjegon Long. “Mund të analizojë se çfarë po ndikon fizikisht, taktikisht ose teknikisht te një lojtar. Mund të zbulojë diçka në të dhënat e mirëqenies që mbledhim, e cila më pas po ndikon në stërvitje. Më pas, mjeku, fizioterapisti, trajneri ose analisti specialist bisedon me lojtarin për t’u siguruar që po nxjerrim maksimumin prej tij. Më parë, për ta bërë gjithë këtë shpejt, duheshin ditë të tëra. Tani duhen orë. Në të ardhmen, ndoshta minuta”. Koady e shpjegon procesin: “Çdo mëngjes, sapo zgjohesh dhe shkon për mëngjes, ka një zonë mirëqenieje ku plotëson një formular në ‘iPad’. ‘Si ke fjetur? Si ndihesh sot? A je i lodhur?’ Dhe më pas lë komente – për shembull, ‘kam dhimbje në kofshët e pasme nga stërvitja e djeshme’. Pastaj stafi kujdeset për ty gjatë ditës, nga mënyra si stërvitesh, te ushqimi dhe organizimi i seancave. Detajet që merren parasysh për secilin individ, por sidomos për ekipin në tërësi, janë të jashtëzakonshme”. AI ndihmon gjithashtu në përcaktimin e planeve të Anglisë për ushqimin dhe oraret e stërvitjes.
A do t’i zëvendësojë AI trajnerët apo do t’i dëmtojë vendet e vogla?
Çdo ditë po krijohen kompani të reja teknologjike që merren me AI, ndërsa një softuer i vetëm mund t’u kushtojë federatave kombëtare qindra mijëra paund. “Nuk bëhet fjalë të ndjekësh çdo lodër të re të shndritshme të AI-së dhe ta përdorësh pa kriter”, thotë Long. “Duhet të pyesësh veten nëse ajo do të ndihmojë realisht performancën”. Për shkak të kostove të larta, ekziston rreziku që disa prej vendeve më pak të pasura të mbeten prapa. “Mendoj se AI do ta zgjerojë hendekun,” thotë Tom Goodall, analist në përfaqësuesen e Islandës. “Anglia, për shembull, ka praktikisht burime të pakufizuara, para dhe staf. Ne jemi krejt e kundërta. Unë jam i vetmi analist me kohë të plotë këtu dhe fondet janë të kufizuara. Është shumë e vështirë të rrezikosh me një teknologji të shtrenjtë”. Ka gjithashtu shqetësime të përhapura për ndikimin e AI-së në vendet e punës në të ardhmen. “Ajo që duhet të mbajmë mend është se AI nuk është një zgjidhje magjike”, thekson Long. “Ajo do ta bëjë gjithçka shumë më efikase, por çelësi është të kesh njerëz në sport që dinë ta përdorin shumë mirë këtë teknologji të re. Nuk do t’i zëvendësojmë njerëzit, bëhet fjalë për të përmirësuar vendimmarrjen e tyre. AI nuk do ta zgjedhë formacionin dhe nuk do ta luajë ndeshjen. Por nëse arrin t’i bësh trajnerët ta përdorin në mënyrë efektive dhe kjo, nga ana tjetër, i ndihmon lojtarët tanë, atëherë ke një avantazh të rëndësishëm konkurrues që, shpresojmë, do të na ndihmojë ta kalojmë vijën e fundit”.
PANORAMASPORT.AL













