I padiskutueshëm në ekipin e tij, Vrapi: Jam i lumtur te Vora, një mësim për skeptikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2025 | 22:30

I padiskutueshëm në ekipin e tij, Vrapi: Jam i lumtur te Vora, një mësim për skeptikët

Jurgen Vrapi, futbollisti 27-vjeçar nga kryeqyteti, gjithmonë ka qenë i lumtur, që zgjodhi këtë ekip, që në periudhën kur Vora konkurronte në kategorinë e dytë, para 4 sezoneve e ky la ekipin e Superiores për të ardhur këtu e nënshkruar kontratë trevjeçare me Vorën. E këtë sezon të parë në Superiore të skuadrës që ai zgjodhi, rinovoi kontratën e tij.

jurgen vrapi feston me Bellain

Ai besimin e patundur, që kishte ndaj këtij klubi tashmë e ka bërë realitet sepse klubi vorak jo vetëm, që arriti të konkurrojë në kampionatin elitar, por ka bërë edhe surpriza, si kurrë më parë ndonjë skuadër debutuese, nuk e kanë bërë më parë. Ai në ndeshjen kundër ballshiotëve u shpall “lojtari i ndeshjes” dhe kjo ishte një tjetër sukses dhe vendosmëri e këtij lojtari për t’ju përkushtuar me plot vullnet e dëshirë performancës së këtij klubi.

“Jam shumë i lumtur për trofeun e “lojtarit të ndeshjes”, që mora. Ky është vetëm një stimul moral për të vijuar më me vendosmëri në misionin tij të performancës në karrierën time. Unë gjithmonë e kam cilësuar Vorën si një klub serioz me një presidencë që e duan futbollin dhe investojnë për klubin e tyre që të lartësohet e të shkruaj një histori ndryshe në arenën e futbollit shqiptar. Ata kanë zgjedhur një staf të mrekullueshëm teknik, që janë profesionistë e të zotë dhe përvoja e tyre, ka bërë që të ndërtojnë një skuadër mjaft të fortë. Edhe pse jemi debutues, skuadra e Vorës është aq e aftë sa për të përballuar me mjaft sukses ndeshjet e shumta të Superiores me ekipet me emër si Partizani, Dinamo, Tirana, Vllaznia apo edhe ekipe të tjera si Egnatia, Flamurtari, Elbasani, Teuta… etj”, shprehet për “Panorama Sport” lojtari.

Ai edhe pse rolin e tij formues e ka pasur sulmues i majtë, para se të vinte te Vora, aftësitë e tij për të luajtur me të dyja këmbët si dhe, edhe në role të tjera, ka bërë që te Vora të gjejë veteveten. Ai tashmë është ingranuar te roli i mbrojtësit të majtë që shpesh herë e bën të avancojë deri në vijën sulmuese, por preferon të gjuajë goditjet standarde sidomos faullet para zonës, duke qenë një mjeshtër për këto goditje. Ai foli edhe për rolin e tij të ri te Vora.

“Roli im tek mbrojtësi i krahut të majtë është një nga rolet që unë kam bërë më mirë. Edhe pse profesori Bellaj e bazon më shumë lojën në krahun e djathtë, sidomos te Bardhi, pasi ai është një lojtar shumë i shpejtë dhe lë hapësira për ne të krahut të majtë, duke bërë që unë të avancoj edhe përpara duke rikujtuar rolin e mëparshëm të sulmuesit, ku shpesh herë më ka munguar edhe goli. Por duke qenë se ne jemi një ekip që më shumë përdorim lojën e kundërsulmit, vendosja ime në mbrojtje ka bërë që ta përdor edhe rolin e sulmuesit, pasi unë po bëj mirë si në mbrojtje edhe në sulm. Por shpresoj që edhe goli im në Superiore do të vij sa më shpejt”, ka përfunduar prononcimin e tij, Jurgen Vrapi që çuditërisht, më së fundi ai erdhi tek Vora e kategorisë së dytë, nga Skënderbeu i Superiores.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL