I ndikuar edhe nga dëmtimet, Milinkoviç nuk kishte asnjëherë 11 të besuar në dy takime te Partizani
Largimi i Mladen Milinkoviç trondit jo pak Partizanin. Të kuqtë duhet të kërkojnë trajner për herë të dytë në këtë edicion, edhe pse kanë kaluar vetëm tre muaj nga nisja.

Milinkoviç është nga trajnerët që mund të konsiderohet më pafat te Partizani. Koha në dispozicion të tij ishte dy muaj. Asnjë tjetër nuk ka qëndruar kaq pak. Rezultatet patën ndikim të menjëhershëm, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e parafundit. Milinkoviç nuk ia doli asnjëherë të kishte 11-shen titullare në dy takime radhazi. I ndikuar edhe nga dëmtimet, trajneri serb u vendos në vështirësi thuajse çdo javë.
TË BESUARIT- Pas gjashtë javësh bie në sy se vetëm Marçelino Preka dhe Redon Ismaili ishin gjithmonë në formacion. Preka si lider dhe kapiten i Partizanit në mbrojtje, teksa Ismaili dukej më tepër si risi e Milinkoviç. Asnjë trajner tjetër nuk i ka besuar më shumë.
PROMOVIMI DHE MINUTAT E PARA- Milinkoviç u afrua me bujë për besimin që do i jepte talenteve tek akademia. Nebi Qokthi debutoi pikërisht falë besimit të tij duke u promovuar. Rouen Hjumen, Arafat Doumbia, Rrok Toma, Albion Marku dhe Viktor Da Silva që u transferuan në gusht dhe shtator te Partizani debutuan duke qenë Milinkoviç në krye.
ROTACIONET- Milinkoviç u detyrua të ndryshojë formacionin çdo javë, prej dëmtimeve dhe jo vetëm. Alban Hoxha u rikthye sërish në titullar duke ulur në stol Qirkon që ndaj Bylisit, teksa me Vllazninë e Elbasanit nuk ia doli të ishte në fushë. Hoxha si alternativë e parë në derbi u zëvendësua fill pas pjesës së parë. Edhe Preka si lider i mbrojtjes mbeti në dhomat e zhveshjes duke i lënë vendin Bytyçit. Po ashtu, para përfundimit të fraksionit të parë ishte Skuka që mori vendin e Qokthit. Të gjitha këto vendime erdhën ndërsa Partizani ishte në disavantazh të dy golave ku njëri u shënua me penallti. Mungesa e minutave për Isgandarlin, Buxhelajn, Gudjufin dhe Mehmetin në derbi tregon shumë. Këto katër futbollistë shfaqeshin në listën e të besuarve të Milinkoviç. Në derbi ndërkohë erdhën lëvizjet e shumta ku jo vetëm u ulën në stol, por nuk morën asnjë minutë.
PANORAMASPORT.AL













