I dha notares olimpike recetën që përdorin modelet, mjeku pranon se ka kontaminuar suplemente
Një anëtar i Personelit Mbështetës të Atletëve të Bolivisë u sanksionua këtë javë në lidhje me një test dopingu të dështuar nga mbajtësja e flamurit Maria Jose Pinto Ribera gjatë Lojërave Olimpike “Paris 2024”.
Agjencia Ndërkombëtare e Testimit konfirmoi se Dr. Matheus Das Neves Borgo kreu shkelje të rregullave dhe do të pezullohet për gjashtë vjet. Sipas ITAs, në emër të “World Aquatics”, mjeku bolivian i kërkoi një laboratori prodhues suplementesh të përfshinte substancën e ndaluar furosemid në suplementet e bëra me porosi të përdorura nga notarja, e cila më pas rezultoi pozitive me furosemid gjatë një kontrolli antidoping në garën e 3 gushtit 2024 në Paris.
Ribera pranoi pasojat e shkeljes së saj, duke u skualifikuar në Lojërat e Parisit, ndërsa rezultatet e saj në stilin e lirë 50 metra për femra u anuluan. Me kërkesë të atletes, mostra e saj B u hap dhe u analizua, duke konfirmuar praninë e furosemidës, me notaren që u pezullua për 2 vite. Pas incidentit, trajneri i Riberës, Yassir Abdalla, shpjegoi se një dietolog dyshohet se i dha notares një kapsulë kafeine që ishte e kontaminuar me furosemid, një substancë që përdoret për të parandaluar mbajtjen e lëngjeve në trup. Më vonë trajneri i atletes shpjegoi se mjeku kishte gabuar recetën dhe i kishte dhënë notares kapsulat, që ai zakonisht ua jep modeleve.
“Ajo mori një përzierje koncentratesh, të cilën e merr gjithmonë para se të garojë, në këtë rast kafeinë, e cila është një formulë energjie që e merr para se të konkurrojë. Dhe, për fat të keq, ajo substancë e ndaluar, furosemid, ishte në këto pilula kafeine. Notarja e ka marrë pa dashje këtë substancë të ndaluar, pa e ditur se ishte aty”, tha Yassir Abdalla.
Ribera, e cila ishte flamurmbajtësja e Bolivisë në Olimpiadë, ka bërë bujë që kur fitoi medaljen e parë të artë të vendit të saj në Lojërat Rinore të Amerikës së Jugut. Përpara Lojërave të Parisit, ajo mori medaljen e artë në 50 metra stil i lirë në Kampionatin Kombëtar Ndërligjor të Hapur në Kolumbi.
PANORAMASPORT.AL













