“Humbja me Tiranën la shije të keqe”, kapiteni Abazaj “karikon” Bylisin: Bëjmë kthesën në Rrogozhinë
Bylisi ka sfiduar reshjet e dendura në seancën e djeshme stërvitore duke punuar për afro dy orë nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede dhe stafit të tij.
Ballshiotët luajnë sot në Rrogozhinë në një duel mjaft interesant, por edhe të fortë, ku shkojnë me synimin për të mos dalë pa gjë. Lojtarët kanë besim se do t’ia dalin në duelin e radhës, ndërsa kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj, ka folur në prag të duelit me rrogozhinasit.
Abazaj që është një nga lojtarët më shumë të aktivizuar në Superiore këtë sezon. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai ka folur për shijen e keqe që ka lënë humbja me Tiranën dhe dëshirën për tu kthyer me rezultat pozitiv kundër kryesuesve.
HUMBJA – “Humbja me Tiranën ka lënë një shije të hidhur në kampin tonë, pasi ishim në momentin më të mirë, me shtatë rezultate pozitive radhazi. Në ndeshjen me Tiranën nuk ishim në ditën tonë më të mirë, pasi nuk arritëm që të krijojmë as raste, duke u treguar ekip konfuz”.
REAGIMI – Por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Kemi punuar shumë në aspektin psikologjik dhe kam besim se do të jemi shumë më ndryshe, madje kam besim se do të bëjmë kthesën ndaj Egnatias në Rrogozhinë. Skuadra është e plotë dhe kam besim se të gjithë si grup do të bëjmë më të mirën. Pjesa e dytë e garës ka duele delikate dhe pikët vlejnë shumë edhe për synimet që ne kemi si skuadër. Na duhet që të jemi të mobilizuar dhe të bashkuar në çdo sfidë. Të gjithë e kemi të qartë për vështirësitë që na presin pasi edhe kalendari në sfidat e radhës është jo i lehtë”.
MERKATO – “Janë larguar dhe afruar lojtarë dhe unë mendoj se skuadra me këtë kontigjent që ka, do të përballojë më së miri si kampionatin, ashtu edhe Kupën. Natyrisht, është stafi dhe presidenca që i dinë më mirë këto punë, sepse ata e vlerësojnë më ndryshe gjendjen e ekipit dhe nevojat që ka. Unë jam i mendimit që neve na duhen lojtarë dhe besoj se do të ketë afrime cilësore”, deklaroi kapiteni i Bylisit, Marin Abazaj.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













