Hoxha, i vetmi që firmosi kontratë të përjetshme… Portieri, i kthyer në shembullin e fundit për Partizanin
Alban Hoxha u aktivizua titullar për Partizanin ndaj Vllaznisë, ndërsa me barazimin deri në minutën e 90-të ishte heroi i ndeshjes. Më pas, falë golit nga penalltia, kuqeblutë i hapën rrugë fitores.
Tendenca për të ndërtuar ekipe me elementë të rinj është e madhe, por Hoxha i ka mbijetuar çdo ndryshimi. Gardiani i të kuqve është i vetmi për të cilin kontrata nuk qëndron më si diskutim. Për të duket e përjetshme te Partizani, derisa të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Portieri i kryeqytetasve shikohet si futbollisti më me eksperiencë në Superiore për çdo statistikë. Tashmë si më i vjetri përfshirë edhe moshën. Besnikëria në elitën e futbollit shqiptar mban emrin e tij, pasi prej vitit 2013 asnjë futbollist tjetër nuk ka qëndruar pa ndryshuar fanellën.
FILLIMI- Alban Hoxha i bashkohet familjes së kuqe në verën e vitit 2013. Asokohe punohet për ndërtimin e një skuadre, që do përfaqësojë denjësisht emrin e madh. Partizani i kthehet elitës së futbollit shqiptar pas katër viteve mungesë ku edhe u prek fundi. Garancia e një ekipi të ri që do hedhë bazat për të ardhmen, nis nga porta. Për këtë afrohet Alban Hoxha. Numri 12, që shihet si zgjedhje e dytë te portierët, bëhet pronë e 25-vjeçarit dhe pse vetëm zgjedhje e dytë nuk është. Për pak kohë fiton besimin e të gjithëve. Gjërat ecin vrullshëm vitin e ardhshëm. Hoxha bekohet për herë të parë me djalë, i cili do mbajë emrin Beko. Bekim e kishte i ati i Albanit. Momenti më i vështirë i vitit 2014 është humbja e bashkëshortes, për shkak të komplikacioneve shëndetësore pas lindjes së djalit.
REKORDI- Hoxha kthen dhimbjen në forcë dhe disa ditë më vonë thyen rekordin historik, që çdo portier dëshiron ta ketë. Historia e futbollit shqiptar e njeh atë prej 13 dhjetorit të vitit 2014, si gardiani rekordmen që ka mbajtur 1084 minuta rrjetën e paprekur. Arritje që erdhi 30 vite pasi Bujar Gogunja i Elbasanit u thye te minuta 1037 pa pësuar. Atë dhjetor shpallet “Futbollisti i Vitit”, çmim gjithashtu i rrallë për një portier në vendin tonë.
HEROI I PARTIZANIT TE KOMBËTARJA- Alban Hoxha ia del që me paraqitjet te Partizani, të bëhet pjesë e skuadrës historike që përfaqësoi Shqipërinë në Europianin 2016. Tjetër sukses që nuk harrohet atë vit, është ai përballë Ferencvaros në Hungari. Në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve kthehet në heroin e të kuqve pëprgjatë penalltive. Shënon fillimisht një të tillë me panenka dhe pret tri të tjera.
HISTORIA– Në vitin 2019 është cërrikasi që i drejton qiellit trofeun e kampionit, pas 26 viteve pritje. Ka pasur dhe ditë të këqija në karrierën e Hoxhës, por të mirat janë ndër më të bukurat që mund të ketë një futbollist në Shqipëri. I vetmi që luan prej dekadës së shkuar me Partizanin, teksa po ashtu klubi ka besuar atë si të vetmin futbollist me mbi 30 vite mbi supe. Dhjetra lojtarë të tjerë janë pritur dhe përcjellë çdo sezon prej Hoxhës. Cërrikasi u kthye kështu në markë dhe shembull për dorezat e kuqe. Aktualisht nuk është vetëm emblemë e Partizanit, por edhe e Superiores. Asnjë nuk numëron mbi 32 mijë minuta si ai. I mungon goli, por penalltitë e pritura vlejnë sa një realizim.
I VETMI- Hoxha është përfolur dhe per oferta jashtë Shqipërisë. Po ashtu rivalët e kryeqytetit tentuan disa herë ta afronin në skuadër. Në fund nuk e ndryshoi fanellën. Hoxha ka pranuar edhe stolin apo të dorëzojë shiritin e kapitenit, ndërsa tani gëzon respektin e tifozëve. Albani shihet jo vetëm si një lojtar për skuadrën, pasi të tillë Superiorja ka shumë. Ai është kapiteni dhe Partizani gëzon në skuadër futbollistin më me eksperiencë të elitës. 12 vite tashmë të kaluara te të kuqtë. Si “I fundit i Mohikanëve”, është i fundit që vazhdon rrugëtimin nga Partizani i parë që iu rikthye elitës. Karriera deri tani i jep një vend krah legjendave të klubit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













