Homazhe për Sabah Bizin, personalitetet e futbollit nderojnë legjendën e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2025 | 9:07

Homazhe për Sabah Bizin, personalitetet e futbollit nderojnë legjendën e Vllaznisë

Legjenda e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i Kombëtares, “Nderi i Kombit” Sabah Bizi, u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 77- vjeçare. Në nderim të figurës së tij, stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër hapi dyert e mortit duke pritur këtë të premte qindra e qindra qytetarë dhe tifozë të Vllaznisë.

Capture

Pjesë e homazheve ishin figurat më të larta politike dhe publike në Shkodër, ish-futbollistë, futbollistë dhe drejtues klubesh, që shprehën konsideratat për të. Në nderim të Bizit, ndeshjet e kampionatit shqiptar gjatë fundjavës do të fillojnë me një minutë heshtje, teksa ish-klubet e tij të Vllaznisë dhe Partizanit kanë konfirmuar se do të luajnë me shiritin e zi në krah, në formë homazhi. Pas homazheve, për mediat folën presidenti i FSHF, Armand Duka, si dhe figura të shquara si Astrit Hafizi, Rudi Vata, Fatbardh Jera dhe kapiteni i Kombëtares, Bekim Balaj. Më poshtë, pasazhe nga fjalët e tyre.

ARMAND DUKA – “U largua një legjendë si Bizi, i pakrahasueshëm për kontributin e tij me Vllazninë e po ashtu me ekipin kombëtar si futbollist. Biseda e fundit ka qenë në telefon, para ndeshjes me Çekinë, kur më tha: ‘President, dua të vij që të shoh ndeshjen'”.

ASTRIT HAFIZI – “Për mua nuk është aspak e lehtë të flas për Sabah Bizin. Kam kaluar shumë vite me të, shumë sfida. Ndoshta u bëra një lojtar i rëndësishëm falë tij. Më ndihmonte, ishte forcë për mua. Nëse e meriton kush emrin legjendë, ai është Sabah Bizi”.

RUDI VATA – “Kjo histori që është sot e Vllaznisë ka shenjën e madhe të Sabah Bizit, një prej emblemave të futbollit shqiptar. Nëse dikush do të njohë Sabah Bizin, duhet të dëgjojë ngjarjen kur Loro Boriçi, trajneri i kombëtares, mori një djalë të ri 19-vjeçar për të përballuar Beckenbauerin. Histori e papërsëritshme”.

FATBARDH JERA – “Figura dhe kontributi i Sabahit do të ngelin përjetë. Ato janë histori që do të tregohen brez pas brezi. Fati im më i madh në karrierën time ka qenë trashëgimi i fanellës së tij, që për mua ishte një nder i pakrahasueshëm. Në nivelin e Bizit nuk është afruar askush dhe ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri”.

BEKIM BALAJ – “Jemi të mërzitur të gjithë për ikjen e një prej figurave të mëdha. Kontributi i tij dihet dhe unë nuk kam çfarë shtoj. Por mund të them se kam pasur fatin të stërvitem nga ai, duke qenë ndoshta ndër “studentët” e tij të fundit. Virtytet e tij dhe dashuria për fanellën e Vllaznisë është ajo që i ka trashëguar çdo djali të ri. Është një humbje e madhe për gjithë futbollin shqiptar”.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL