Historike, Kamza Basket kampione e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2013 | 10:29

Historike, Kamza Basket kampione e Shqipërisë

Kamza Basket kampione e ShqiperiseKAMZA BASKET – VLLAZNIA 81-54 (3-0)
(21-18, 21-15, 17-10, 22-11)
KAMZA BASKET: Gjonaj, Domi, Karaj, Bilali, Hysenagolli/ Sërbo, Lame, Gjoka, Fasllija, Llazani, Selimaj. Trajner: A. Muhametaj.
VLLAZNIA: Jeftiç, Dragiçeviç, Xhokoviç, Devrnja, Berdica/ Bekteshi, Halluni, Shestani, Taraboshi, Ndoja, Kovaç. Trajner: B. Gjeçaj
GJYQTARË: E.Koçi, G. Hoxha, E.Hoxhaj
KOMISAR TEKNIK: Sh.Bozdo

REZULTATET
NDESHJA E PARË, 23 PRILL
Kamza Basket-Vllaznia 90-76
NDESHJA E DYTË, 26 PRILL
Vllaznia-Kamza Basket 71-76
NDESHJA E TRETË, DJE
Kamza Basket-Vllaznia 81-54

Kamza Basket për meshkuj u shpall kampione e Shqipërisë për herë të parë në historinë e këtij klubi. Skuadra e drejtuar nga trajneri Adem Muhametaj fitoi edhe finalen e tretë të “play off”-it ndaj Vllaznisë me rezultatin 81-54, në palestrën sportive të Bathores. Kamzalinjtë vinin në këtë finale të tretë pas dy fitoreve radhazi, të parën në Kamzë 90-76 dhe të dytën në Shkodër 76-71. Pallati i sporti ishte mbushur jashtë kapaciteteve të tij, ku qëndronin rreth 2000 tifozë. Në mbështetje të ekipit kishin ardhur edhe futbollistët e Kamzës, si dhe autoritetet më të larta lokale të qytetit të Kamzës, bashkë me kryebashkiakun Mziu e pothuajse gjithë administratën. Gjithashtu të pranishëm ishin presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollistë, Avni Ponari, sekretari Korab Llazani dhe anëtarët e kryesisë. Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës, tani vjen një tjetër trofe. Ky titull vjen pas 51 vitesh kur merrte pjesë për herë të parë në sezonin 1962-1963 në një kompeticion të tillë, atëherë me emrin “KS Dajti”.
Ndeshja Takimi i djeshëm u vendos që në periodën e parë, kur ekipi shkodran vuajti presionin e pragndeshjes. Basketbollistët e Vllaznisë luajtën të ngarkuar psikologjikisht në minutat e para, gabuan shumë në gjuajtje dhe ishin të çoroditur, fakt që e shfrytëzoi më së miri Kamza Basket, e cila ndonëse me një diferencë prej +3 pikë, arriti që ta fitojë atë. Vllaznia nis të “zgjohet” në periodën e dytë, por është sërish Kamza Basket që ka komandën, luan më shpejt dhe është më e saktë në tabelë. Pjesa e parë mbyllet 42-33 për kamzalinjtë, të cilët të mbështetur edhe nga tifozët vendës kanë treguar një formë mjaft të mirë. Por Vllaznia tregon një tjetër fytyrë në pjesën e dytë, më agresive në mbrojtje dhe të saktë në sulm, duke nisur të rikuperojë disa prej gabimeve të mëparshme. Perioda e tretë përfundon 17-10 për kamzalinjtë, ndërkohë që diferenca më e vogël në çerekun e fundit të takimit është +16 pikë, 59-43. Por në minutat e mbetura, Kamza Basket me Domin e Karajin dominojnë në tabelë, duke u shkëputur sërish e fituar 22- 11 dhe krejt takimin 81-54.
Ceremonia Në fund të ndeshjes është zhvilluar dhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të kupës dhe medaljeve. Vetë presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, ka marrë përsipër dorëzimin e trofeut kapitenit të Kamza Basket, Afrim Bilali. Ndërsa drejtuesit e tjerë të FSHB-së, sekretari Korab Llazani, dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, u dorëzuan medaljet basketbollistëve fitues. Më pas nisi festa, një festë legjitime e skuadrës kampione, që hipotekon trofeun e parë me fishekzjarrë e shampanjë.

Muhametaj: Bëmë gjithçka për këtë titull
Trajneri i kampionëve të sapokurorëzuar, Adem Muhametaj, u shpreh i lumtur me titullin e fituar. “Kemi bërë gjithçka që ta fitonim këtë ndeshje, sepse donim ta mbyllnim sezonin pa humbje dhe më kryesorja të shpalleshim kampionë përpara sportdashësve tanë. Skuadra ka zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të mira dhe e kishte vlerësuar në maksimum. Prandaj dua të falënderoj të gjithë basketbollistët. Gjithashtu, dua të falënderoj për kontributin e padiskutueshëm kryebashkiakun Mziu, i cili e ka mbështetur ekipin jo vetëm financiarisht. Falë përkushtimit të tij ndaj sportit, ai bëri të mundur edhe krijimin e infrastrukturës duke na dhuruar një palestër moderne e bashkëkohore, nga më të bukurat deri më sot. Njëkohësisht dua të falënderoj publikun e mrekullueshëm. Kemi marrë tri fitore mbresëlënëse ndaj shkodranëve, të cilët i vlerësoj së tepërmi. Vllaznia në të pesë sfidat me ne, ka treguar se ka një ekip mjaft të mirë dhe të konkurrueshëm”, – deklaroi trajneri i Kamza Basket, Muhametaj.

Kapiteni Bilali
“Kam qenë plotësisht i bindur se do të hipotekonim titullin duke u shpallur kampionë pa asnjë humbje. Gjatë këtij sezoni një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe prurjet e reja në ekip, siç janë dyshja kryeqytetase Karaj-Hysenagolli, por edhe të rinjtë. Por më e rëndësishme është ndihmesa e bashkisë dhe në mënyrë të veçantë dua të përshëndes kryebashkiakun Mziu, i cili nuk është kursyer në mbështetjen financiare dhe infrastrukturore për basketbollin e Kamzës duke ndërtuar një skuadër elitare dhe kampione”.

Trajneri i Vllaznisë
“Vllaznia tregoi se është skuadra më e përgatitur, mirëpo basketbollistët tanë nuk dhuruan maksimumin e tyre sidomos në lojën mbrojtëse për kapjen e topit, po ashtu edhe në lojën sulmuese, gjë që na ka ndëshkuar. Dua të theksoj se ekipi ynë bëri dhe shumë gabime që ndikuan së tepërmi në ecurinë e ndeshjes. Gjithsesi, mendoj se ekipi i Kamza Basket e meritoi plotësisht këtë kampionat, pasi ka qenë një ndër ekipet më të mira të këtij sezoni”, – deklaroi trajneri i Kamzës, Bledar Gjeçaj.
ABDULLA DUSHKU

LIBRI I ARTË
BASKET MESHKUJ
1946 17 Nëntori
1947 Ylli kuq (Durrës)
1948 17 Nëntori
1949 Tirana
1950 Tirana
1951 Partizani
1952 Partizani
1953 Partizani
1954 Partizani
1955 Durrësi
1956 Partizani
1957 Tirana “A”
1958 Partizani
1959 Partizani
1960 Partizani
1961 17 Nëntori
1962 17 Nëntori
1963 17 Nëntori
1964 Partizani
1965 17 Nëntori
1966-1967 Vllaznia
1967-1968 Partizani*
1968-1969 Partizani
1969-1970 Partizani
1970-1971 17 Nëntori*
1971-1972 Partizani
1972-1973 Partizani
1973-1974 Partizani
1974-1975 Partizani
1975-1976 Partizani
1976-1977 Partizani
1977-1978 Partizani
1978-1979 Partizani**
1979-1980 Partizani
1980-1981 Partizani
1981-1982 Partizani
1982-1983 Partizani
1983-1984 Partizani
1984-1985 Partizani
1985-1986 Partizani
1986-1987 Partizani
1987-1988 Partizani
1988-1989 Partizani***
1989-1990 Vllaznia
1990-1991 Partizani
1991-1992 Partizani
1992-1993 Vllaznia
1993-1994 Adelin (Pogradec)
1994-1995 Dinamo
1995-1996 Partizani
1996-1997 Vllaznia
1997-1998 Vllaznia
1998-1999 Tirana
1999-200 Vllaznia
2000-2001 Tirana
2001-2002 Tirana
2002-2003 Valbona
2003-2004 Valbona
2004-2005 Valbona
2005-2006 Valbona
2006-2007 Valbona
2007-2008 Tirana
2008-2009 Tirana
2009-2010 Tirana
2010-2011 Tirana
2011-2012 Tirana
2012-2013 KAMZA BASKET