Gvozdenoviç: Elbasani kthehet i vendosur, fitorja është detyrim kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2025 | 10:39

Gvozdenoviç: Elbasani kthehet i vendosur, fitorja është detyrim kundër Bylisit

Elbasani vjen para përballjes me Bylisin me dëshirën për t’u rikthyer te fitorja dhe për të lënë pas momentin e vështirë që po kalon në kampionat.gvozdenoviccPas tre javësh me vetëm një pikë, verdheblutë kërkojnë të reagojnë në shtëpi dhe të rikthejnë qetësinë në kampin elbasanas. Trajneri Ivan Gvozdenoviç mbetet i bindur se skuadra e tij do ta kalojë këtë periudhë, duke theksuar se çdo javë është një mundësi e re për të bërë më mirë. Në prag të ndeshjes ndaj ballshiotëve, tekniku serb tregohet realist, por njëkohësisht optimist. Ai thekson se skuadra ka bërë paraqitje të mira, por mungesa e qetësisë në momente kyçe i ka kushtuar rëndë.

Pikërisht këtë aspekt, sipas tij, Elbasani duhet ta përmirësojë për të rikthyer ekuilibrin dhe rezultatet pozitive. Gvozdenoviç pranon se humbja ndaj Vorës ka lënë shije të hidhur, sidomos për mënyrën se si u pësuan golat, por është i sigurt se gabimet do të rregullohen. Ai beson te reagimi i lojtarëve dhe premton një Elbasan më të vendosur ndaj Bylisit, ndërsa lë të hapur mundësinë e disa ndryshimeve në formacion, veçanërisht në repartin ofensiv.

Si vjen Elbasani para ndeshjes me Bylisin?

Si gjithmonë para një ndeshjeje që e vlerësojmë maksimalisht. Jemi Elbasani, një klub i madh dhe çdo javë mendojmë për të luajtur mirë dhe për të dhënë maksimumin. E njëjta situatë është edhe kundër Bylisit, në ndeshjen e nesërme (sotme).

Çfarë prisni nga ekipi dhe çfarë duhet të rregulloni për t’u kthyer te fitorja?

Do të mundohemi të jemi më të qetë dhe këtë do përpiqemi ta rregullojmë. Me Vorën ishim mirë deri në momentin që shënuam golin, por më pas humbëm qetësinë. Ndeshja zgjat 90 minuta plus shtesat, ndaj kemi nevojë për më shumë durim. Besoj se do të dalim mirë.

Një pikë në tre ndeshje… a po kalon skuadra një krizë?

Çdo skuadër ka një periudhë krize gjatë kampionatit. Në fillim ishin Egnatia, Dinamo, Flamurtari, Tirana apo ndonjë tjetër. Tani ndoshta edhe ne po kalojmë një krizë të vogël. Por futbolli është i bukur, sepse çdo javë të jep një mundësi për ta kaluar krizën. Pas Vorës vjen Bylisi dhe jemi gati për të bërë gjithçka në fushë, për të fituar dhe për të kaluar këtë moment të vështirë.

Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë në këto ndeshje?

Dy golat që pësuam nga Vora. Jam i vetëdijshëm se çdo skuadër mund të na shënojë, sepse i tillë është futbolli. Por ishim në avantazh dhe gjithçka ishte në dorën tonë. Pësuam dy gola naivë dhe jam i mërzitur për këtë. Megjithatë, e thashë, i tillë është futbolli. Jam i bindur se do t’i rregullojmë këto gjëra. Kemi folur me djemtë dhe llogaritë bëhen në fund të kampionatit, deri atëherë besoj se do të jemi aty ku duam.

Keni menduar të bëni ndryshime për ndeshjen me Bylisin, ndoshta në sulm?

Ndoshta, ndoshta. Nuk mund të flas më shumë, sepse kemi edhe stërvitjen e fundit dhe bashkë me stafin do të gjejmë vendosjen më të përshtatshme për skuadrën.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL