Gjini golashënuesi i 11-të te Vllaznia, sinjale edhe nga Çelikoviç
Vllaznia e Shkodrës e ka nisur vitin 2026 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore minimale, por shumë të rëndësishme përballë Pogradecit.
Ndeshja e zhvilluar mes dy skuadrave u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të kuqebluve, një sukses që vlen jo vetëm për kualifikimin në çerekfinalet e kupës së Shqipërisë, por edhe për sinjalet që skuadra po jep në këtë fillim viti ku objektivat ngelin shumë ambicioze.
Pika më e fortë e Vllaznisë në këtë takim ishte mbrojtja. Pas një viti 2025 ku pësimi i golave kishte qenë një problematikë e vazhdueshme, shkodranët arritën të mbajnë portën të paprekur, duke treguar më shumë siguri, organizim dhe përqendrim në repartin defensiv. Ky ndryshim u reflektua qartë në fushë dhe u shpërblye me një fitore të pastër. Heroi i ndeshjes ishte Gjini, i cili përveçse zhvilloi një paraqitje solide në mbrojtje, arriti edhe të shënojë golin e vetëm të takimit.
Një performancë e plotë nga mbrojtësi, që konfirmon formën e mirë dhe rëndësinë e tij në skemat e skuadrës. Pozitive ishte edhe paraqitja e Çelikoviç, i cili tregoi nivel të mirë loje, qetësi dhe cilësi në veprimet e tij, duke dhënë një kontribut të vlefshëm si në ndërtimin e aksioneve, ashtu edhe në balancën e ekipit. Fitorja ndaj Pogradecit dhe porta e paprekur janë një ogur i mirë për Vllazninë në këtë nisje të vitit 2026, duke lënë pas problemet e së kaluarës dhe duke rritur besimin për vazhdimësinë e sezonit. Kuqeblutë duken të vendosur të ndërtojnë mbi këtë bazë pozitive, me synimin për rezultate edhe më të mira në javët në vijim.
GOLAT – Vllaznia vijon të tregojë forcë dhe alternativa në repartin ofensiv edhe në gjysmën e dytë të sezonit 2025– 26, duke konfirmuar se golat nuk janë vetëm privilegj i sulmuesve. Kuqeblutë siguruan së fundmi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë falë fitores minimale 1–0 ndaj Pogradecit, në një ndeshje ku protagonisti i vetëm ishte mbrojtësi Elmando Gjini. Goli i shënuar nga Gjini rezultoi vendimtar, pasi i dha ekipit shkodran biletën për fazën tjetër të Kupës. Për mbrojtësin kuqeblu ky ishte jo vetëm një gol kualifikues, por edhe realizimi i tij i parë zyrtar me fanellën e 9 herë kampionëve të Shqipërisë.
Ky moment vjen si shpërblim për paraqitjet shumë pozitive të Gjinit gjatë gjysmës së parë të sezonit, ku ai u vlerësua gjerësisht si afrimi më i goditur i merkatos së verës te Vllaznia. Siguria në prapavijë dhe kontributi konstant në lojë tashmë janë shoqëruar edhe me gol. Realizimi i mbrojtësit është një tjetër dëshmi se te Vllaznia shënojnë të gjithë. Në kampionat, plot 10 futbollistë kanë gjetur të paktën një herë rrugën e rrjetës: Balaj, Bismark, Kastrati, Kallaku, Murataj, Jago, Gurishta, Bajrami, Hakaj dhe Mala. Me golin ndaj Pogradecit, Elmando Gjini bëhet futbollisti i 11-të që shënon për Vllazninë në këtë edicion, duke përfshirë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Një statistikë që flet qartë për frymën kolektive dhe potencialin e gjerë të skuadrës shkodrane në sezonin aktual.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













