Garancia e portierit Ruçi: Qëndroj te Vora, nuk do të jemi skuadër kalimtare në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2025 | 14:06

Garancia e portierit Ruçi: Qëndroj te Vora, nuk do të jemi skuadër kalimtare në Superiore

Vora mbylli një sezon të shkëlqyer në Kategorinë e Parë, ku në përfundim arriti një objektiv historik për klubin, duke u ngjitur për herë të parë në Superiore, madje si kampione. Një nga pikat e forta të kësaj skuadre ishte edhe portieri Shkëlzen Ruçi, i cili iu bashkua vorakëve më 1 korrik 2023.shkelzen-ruciPër “Panorama Sport”, ai shprehet se për të ky ishte sezoni më i shkëlqyer i karrierës së tij 15-vjeçare si portier. Ruçi pohoi se do të vazhdojë me Vorën dhe tregon ambiciet e skuadrës, që militon për herë të parë në Superiore.

Keni deklaruar se erdhët te Vora nga projekti i klubit…

E kam deklaruar edhe më parë, se ishte projekti i Vorës ai që më bindi për të ardhur në këtë klub. Ishte ky projekt dhe objektiv, që qëndronte edhe te skuadra ime e mëparshme, Skënderbeu. Mua më pëlqejnë aventurat me skuadra, që kanë pretendime të tilla.

Pas Skënderbeut dhe Vorës, kë keni në projekt të ngjitni në sezonin e ardhshëm?

Projekti i ardhshëm është ndryshe nga këto tri sezonet e fundit. Tani nuk kam synimin për të ngjitur skuadra të tjera nga e Para në Superiore, pasi unë do të qëndroj te Vora. Synimi është që kjo skuadër të mos bjerë nga kjo kategori.

Ku ishte “sekreti” i skuadrës, që arriti këtë sukses?

Vora u ndërtua si një ndërthurje e lojtarëve të eksperiencës me të rinjtë e perspektivës, për të arritur suksesin. Kjo solli bashkërendimin në mënyrë të përkryer dhe lidhjen e brezave me trajnerin Arian Bellai. Përveçse arriti të bënte një gjë të tillë, fitoi edhe një eksperiencë të dytë se si të ngjisë skuadrat nga Kategoria e Parë në Superiore.

Si e mendoni Vorën e këtij sezoni në Superiore?

Vora është një skuadër e re në arenën e futbollit shqiptar, por është mjaft e rëndësishme, sepse është investuar shumë për të arritur deri këtu. Kjo ka një projekt afatgjatë, që të mos mbetet kalimtare në sezonin e ardhshëm, por të qëndrojë gjatë. Më pas do të vijnë edhe pretendimet e mëdha, pasi ekipi të ketë fituar përvojën e duhur. Besoj se eksperienca e krijuar nga lojtarët elitarë, që ka pasur në dy sezonet e fundit. Ky do të jetë një nga sekretet që Vora mund të lerë prapa ekipe të tjera, për të mos zbritur nga Superiorja.

Keni një ide për ndërtimin e Vorës së elitës?

Sipas mendimit tim, sepse me ndërtimin e skuadrës merren drejtuesit e klubit dhe stafi teknik, mund ta formatojmë më së miri këtë skuadër për të mos rënë nga kategoria. Për mua, skuadra duhet të ruajë boshtin e krijuar në tri sezone, pasi është një grup lojtarësh që e kanë përvetësuar përvojën e tyre me njëri-tjetrin, sesa krijimi i një skuadre nga e para. Ruajtja e këtij boshti me disa përforcime do të rrisë ndjeshëm konkurrencën në ekip, gjë që do të kërkojë shumë më tepër nga çdo lojtar. Dihet që Superiorja ka cilësi shumë më të avancuar sesa klubet e së Parës dhe kjo do të jetë një skuadër e brishtë, pa përvojën dhe eksperiencën e nevojshme. Sezoni i parë do të jetë eksperimental për mbijetesën e më pas të shpërthejë në vazhdim me objektiva të qarta për të synuar edhe trofe apo në Europë.

Cilat përballje mendoni si më të vështira për Vorën në Superiore?

Në Superiore, Vora nuk do të ketë asnjë përballje të lehtë, pasi të gjithë kundërshtarët kanë një farë përvoje. Mendoj se do të ketë të vështira tri përballjet derbi me skuadrat e kryeqytetit, ku edhe interesimi do të jetë maksimal. Përballjet më të vështira do të jenë me 4 skuadrat e para: Vllaznia, Egnatia, Dinamo dhe Partizani.

Po Ruçi a ka një përballje të veçantë në elitë?

Sigurisht, ndeshja më e veçanta për mua, do të mbetet ajo kundër skuadrës së vendlindjes sime, Elbasanit.

Cila do të jetë e ardhmja e Ruçit?

Ashtu sikurse Vora do qëndrojë në Kategorinë Superiore, edhe Ruçi do të qëndrojë te Vora.

30

ndeshje ka luajtur portieri Shkëlzen Ruçi me Vorën në sezonin 2024-2025. “Gardiani” elbasanas i ka luajtur të plota këto 30 takime, 2700 minuta dhe nuk ka qenë prezent në vetëm 3 takime.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL