Fusha me baltë, plastikë dhe harresë, futbolli i Qarkut Berat në kushte dramatike. Tomori dhe Naftëtari në situatë problematike, ndikim në dëmtime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2026 | 12:40

Fusha me baltë, plastikë dhe harresë, futbolli i Qarkut Berat në kushte dramatike. Tomori dhe Naftëtari në situatë problematike, ndikim në dëmtime

Infrastruktura e futbollit në qarkun e Beratit vijon të mbetet një nga “plagët” më të mëdha të sportit vendor. Edhe pse kjo problematikë është e njohur prej vitesh, për ironi të fatit ajo vazhdon të zvarritet pa një zgjidhje konkrete. Situata bëhet edhe më dramatike gjatë stinës së dimrit, kur reshjet e shiut dhe ngricat nxjerrin zbuluar mangësitë serioze të terreneve sportive.

stadiumi i beratit

Stadiumi i Beratit

Në shumë raste gjatë ndeshjeve zyrtare është e vështirë të flitet për futboll normal. Amortizimi i fushave është i dukshëm dhe jo vetëm që pengon cilësinë e lojës, por rrit ndjeshëm edhe rrezikun e dëmtimeve për futbollistët, si vendas ashtu edhe për ekipet udhëtuese. Jo pak herë këto dëmtime kanë lënë pasoja serioze, madje duke ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e karrierës së lojtarëve. Një panoramë më e detajuar e pesë qyteteve të qarkut të Beratit tregon qartë se ndërhyrja me investime nuk është më çështje dëshire, por një nevojë emergjente.

BERATI

Rasti i Beratit mbetet ndër më të diskutueshmit. Në stadiumin ku luan Tomori, Bashkia e qytetit rreth 9 sezone më parë realizoi një investim që edhe sot konsiderohet i papërshtatshëm. Në një qytet që njihet si ndër më të nxehtët në Shqipëri, u vendos një tapet sintetik me arsyetimin se do të shërbente për stërvitjen e gjithë ekipeve të zinxhirit në një impiant të vetëm. Megjithatë, me kalimin e viteve u pa qartë se zgjedhja ishte e gabuar. Tapeti sot është plotësisht i amortizuar, ndërsa në sipërfaqe ka dalë materiali plastik, i cili jo vetëm kundërmon erë të rëndë, por e bën thuajse të pamundur zhvillimin normal të lojës. Dhjetëra futbollistë beratas dhe të skuadrave kundërshtare kanë pësuar dëmtime në këtë terren. Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se Berati aktualisht ka vetëm këtë fushë funksionale, ku stërviten tre skuadra të moshave, ndërsa fëmijët detyrohen të përdorin kalçetot. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e reagimit institucional. Edhe pse klubi dhe Bashkia janë në dijeni të gjendjes, ende nuk ka një plan konkret për ndërtimin e fushave stërvitore apo për zëvendësimin e tapetit sintetik tashmë jashtë çdo standardi.

KUÇOVA

NAFTETARI SHIROKA

Çast nga ndeshja Naftëtari-Shiroka, që u luajt në fundjavë në Kuçovë

Në Kuçovë panorama është disi ndryshe, por jo pa probleme. Stadiumi “Bashkim Sulejmani” vazhdon të mbijetojë falë përkushtimit të stafit të mirëmbajtjes dhe interesimit të drejtuesve të klubit Naftëtari. Fusha ruan ende barin natyral, një vlerë e shtuar në realitetin shqiptar. Megjithatë, kjo pamje pozitive zbehet gjatë periudhave me shi dhe ngrica. Në këto kushte, fusha kthehet në një baltovinë të rëndë që e bën futbollin pothuajse të paluajtshëm. Kjo u konstatua qartë në ndeshjet e fundit ndaj Luzit dhe Shirokës. Pas sfidës më të fundit, mesfushori i ri beratas Zajdi Shabanaj u ankua për dhimbje mesi si pasojë e lodhjes në terrenin e rënduar. Lajmi pozitiv është se klubi ka marrë miratimin e FSHF-së për ndërtimin e një fushe stërvitore të re. Federata do të sigurojë tapetin, ndërsa Bashkia pritet të financojë pjesën tjetër të investimit. Ky hap shihet si jetik për Naftëtarin, i cili së fundmi u detyrua të stërvitej gjithë javën në kalçeto dhe të përdorte stadiumin vetëm ditën e ndeshjes.

POLIÇANI

Situata më alarmante ndoshta paraqitet në Poliçan. Prej vitesh futbolli në këtë qytet pothuajse nuk ekziston. Nuk ka iniciativa për ekipe fëmijësh, nuk ka projekte konkrete dhe as përpjekje serioze për të tërhequr investitorë që do të rikthenin skuadrën, qoftë edhe në nivelet më të ulëta. Fusha pranë ish-kombinatit ushtarak ekziston ende fizikisht, por është kthyer në një hapësirë të braktisur që përdoret nga kafshët e zonës — një simbol i qartë i harresës sportive.

ÇOROVODA

skrapari

Në Çorovodë, ndryshe nga Poliçani, ekziston përkushtim njerëzor për mirëmbajtjen e fushës. Sekretari i klubit, Genci Lamçe, dhe portieri veteran Klodian Beqollari vazhdojnë prej vitesh të kujdesen me pasion për terrenin. Megjithatë, përpjekjet e tyre nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet strukturore. Gjatë shirave, fusha përmbytet dhe mbizotëron balta, duke krijuar vështirësi serioze në zhvillimin e ndeshjeve zyrtare. Një tjetër problem i veçantë është lumi pranë fushës, ku shpesh përfundojnë topat gjatë lojës. Në raste kur prurjet janë të mëdha, rikuperimi i tyre ka vënë në rrezik edhe jetën e personave që futen për t’i marrë. Investimi për një tapet të ri dhe përmirësime infrastrukturore mbetet një domosdoshmëri e qartë për këtë qytet.

URA VAJGURORE

stadiumi i Ures Vajgurore

Në kontrast të fortë me qytetet e tjera qëndron Ura Vajgurore. Bashkia e Dimalit realizoi tre vite më parë një investim prej rreth 400 milionë lekësh, duke ndërtuar një impiant modern me parametra bashkëkohorë. Klubi Osumi përfiton nga kushte shumë të mira, ndërsa mbështetja e Bashkisë dhe e biznesit vendas ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e interesit të të rinjve për futbollin. Ekipet e zinxhirit po konsolidohen nën menaxhimin e ish-portierit të njohur Albano Kora. Këtu problemi i terrenit nuk ekziston, tapeti është i ri dhe kërkon vetëm mirëmbajtje të rregullt.

PËRFUNDIMI

Qarku i Beratit paraqet një realitet me kontraste të forta infrastrukturore. Nga impianti modern në Dimal deri te fushat e amortizuara apo të braktisura në qytete të tjera, tabloja është shqetësuese. Nëse nuk ndërhyhet shpejt me investime të mirëplanifikuara dhe me përgjegjësi institucionale, rreziku është që futbolli lokal jo vetëm të vuajë në cilësi, por në disa zona edhe të shuhet plotësisht. Në këtë moment, infrastruktura nuk është më një çështje dytësore, është themeli mbi të cilin varet e ardhmja e futbollit në të gjithë qarkun.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL