Frakturë në brinjë, të kuqtë e Partizanit humbasin kapitenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2026 | 0:15

Frakturë në brinjë, të kuqtë e Partizanit humbasin kapitenin

Lajme të këqija nga kampi i Partizanit lidhur me gjendjen e David Atanaskosit. Kapiteni mungoi në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Vllaznisë teksa vuante një problem në brinjë. Por, analizat më të detajuara tregojnë se mbrojtësi i krahut të majtë vuan një problem më serioz pasi bëhet fjalë për një frakturë.

Atanaskoski

Në këtë formë, lojtari nga Maqedonia e Veriut pritet të mungojë për dy javët e ardhshëm të kampionatit, atë ndaj Elbasanit në “Arenën e Demave” dhe ndeshjen në transfertë ndaj Bylisit, për t’u rikthyer ndoshta në takimin e datës 11 shkurt ndaj Elbasanit në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Mungesa e Atanaskosit është një problem që i shtohet trajnerit Oltijon Kërnaja për ditët në vijim, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist shumë të rëndësishëm dhe që në këtë sezon me Partizanin ka zhvilluar 20 ndeshje në të gjitha kompeticionet me skuadrën kryeqytetase duke regjistruar edhe dy asistë. Për ndeshjet e ardhshme pritet që në vendin e Atanaskoskit të aktivizohet Paulo Buxhelaj, i cili duhet thënë se bëri mjaft mirë në atë pozicion ndaj Vllaznisë. Sakaq, për momentin me grupin në stërvitje nuk janë bashkuar as Adnard Mehmeti apo Kamer Qaka.

Dyshja, vuan nga një virozë e cila duket se ka rezultuar serioze duke i lënë të paktën jashtë seancës stërvitore, të parës së kësaj jave në kuadër të ndeshjes me Elbasanin të shtunën. Megjithatë, optimizmi është i madh që si Mehmeti, ashtu edhe Qaka do të jenë gati dhe në dispozicion të trajnerit Kërnaja për ndeshjen me verdheblutë.

Kujtojmë se Kamer Qaka është afrimi i parë i merkatos së janarit te Partizani nën udhëheqjen e drejtorit të ri sportiv Agim Ibraimi. Ish-mesfushori i kombëtares, mori minutat e parë në fraksionin e dytë të ndeshjes ndaj Teutës dhe pritet që ndaj Elbasanit të ketë më shumë minutazh, ndoshta për ta nisur edhe nga minuta e parë, gjithnjë nëse viroza kalon shpejt dhe lojtari merr ngarkesën e duhur gjatë javës. Ndërkohë, sa i takon situatës së Marcelino Prekës, mbrojtësi do të vijojë të mungojë dhe për të paktën tre javët e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL