FLAMURTARI/ Kontratë pa afat për Idrizin, zbardhet debati mes Kushtës dhe Dredhës në bashki
Sinan Idrizi merr Flamurtarin në administrim pa afat deri në privatizim. Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi propozimin e pesë këshilltarëve bashkiakë, Brikena Sika, Grigor Dede, Edison Kapaj, Bujar Osmani dhe Lorel Canaj me 28 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim.

Anëtari i bordit të klubit, përfaqësues i Këshillit Bashkiak, Endri Hyseni, sqaroi se përse është kërkuar që kontrata e kompanive turke me bashkinë, kësaj here të mos ketë afat. “Edhe këtë vit është kërkuar vijimi i administrimit të kësaj shoqërie me fondet kapitale të veta me argumentin që është në pritje të procesit të privatizimit, që është një procedurë, e cila ka filluar nga bashkia. Është kontraktuar një kompani audituese që është duke bërë vlerësimin e aksioneve të shoqërisë. Ende nuk ka përfunduar, por duke qenë se jemi në nisje të garës së re futbollistike 2025-2026, referuar dhe rezultateve sportive që ka arritur Shoqëria, është kërkuar shtyrja e afatit e kontratës deri në daljen në ankand dhe shitjen e aksioneve. Inkurajojmë administratën e Bashkisë së Vlorës që të vazhdojë sa më shpejt me këtë proces dhe të ndihmojmë Flamurtarin që të jetë garues dhe kompetitiv në Superiore”, shprehet Hyseni.
DEBATET – Sokol Kushta, legjenda e futbollit vlonjat, nga detyra e këshilltarit bashkiak, është përfshirë në debate për Flamurtarin me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Derdha. “Panorama Sport” zbardh të plotë debatin mes tyre.
Ermal Dredha: Më në fund, Flamurtari shkoi aty ku e ka vendin.
Sokol Kushta: Ore, nuk e di ti se sa krenar jam unë për Flamurtarin.
Ermal Dredha: Çfarë shikoj unë si pozitive? Po bëhet një investim aty për stadiumin, që mbetet, dhe te ne nuk ka asnjë dëm financiar, pasi nuk po hedhim asnjë shpenzim, asnjë financë.
Sokol Kushta: O kryetar, nuk vihet në diskutim ajo.
Ermal Dredha: Deri sa të mbarojë procedura jemi të detyruar, pasi nuk do ta lëmë Flamurtarin pa luajtur. Kjo është gjithë çështja.
Sokol Kushta: Por, edhe vjet ashtu ishte.

Ermal Dredha: Ne kemi ushtruar presion gjithë kohës me audituesin.
Sokol Kushta: Nuk keni bërë auditim, keni bërë vlerësim.
Ermal Dredha: Ne jemi duke parë të gjitha detajet, pasi duhet që të jemi shumë profesional në atë që paraqesim. Nuk mund të vijmë me material të përgjysmuar.
Sokol Kushta: Kryetar, kur unë vë shpatullat te shpatullat e tua, të dua. Mbrapa janë goditjet, përpara ia del vetë ti. Tani më dëgjo… Të dua të mirën dhe jam pjesa jote se të kam votuar unë.
Ermal Dredha: I diskutojmë te kafja këto pastaj.
Sokol Kushta: Jo, jo. Po le, ça kafe ti (qesh). Vjet me sivjet nuk ka ndryshuar asgjë. Është e njëjta retorikë. Unë votova vjet me krenari për Flamurtarin që të hynte në Superiore. Pse nuk votova kundër? Se më dhatë fjalën ju dhe stafi.
Ermal Dredha: Flamurtari nëse ka një njeri që i dhemb më shumë je ti. Se je pjesë e historisë. Nuk do ta mendoja kurrë që Sokol Kushta të mos i jepte një shans ekipit, me të cilin ka krijuar emrin. Për pak fillon dhe kampionati…

Sokol Kushta: Në momentin që ka njerëz që e përdorin Flamurtarin për qëllime të tjera, unë do të ndërhyj. Unë jam edhe këshilltar. Ju dhe stafi juaj na keni dhënë fjalën që…
Ermal Dredha: Tani procedurat janë… Ne kemi bërë maksimumin.
Sokol Kushta: Ju vjet, bashkë me stafin, dhatë fjalën që në nëntor do të kishin përfunduar procedurat. Është e vërtetë që në fund të tetorit ju i keni mbyllur procedurat nga një vlerësues që e keni vlerësuar ju si bashki të aftë? Pse nuk e keni paraqitur atë vlerësim ekonomik? Sa është borxhi?
Ermal Dredha: Sepse nuk është i plotë.
Sokol Kushta: Jo, është i plotë. E di pse nuk është i plotë dhe nuk ka për të qenë asnjë herë i plotë. Sepse dokumentacioni duhet të vijë nga të dyjaa palët.
Ermal Dredha: Nuk mund të sjellim raport të cunguar, s’ka përfunduar. Ky është gjithë ai ngërç që ne duhet të jemi të plotë në atë moment.
Sokol Kushta: Kryetar, mund të të pyes? Sa është borxhi, 4 apo 5 milionë?
Ermal Dredha: 2.4, po 800 mijë eurot që hodhën te fusha?
Sokol Kushta: Unë them, që vlera e vlerësimit është 2.4 milion me dokumentacion të cunguar.
Ermal Dredha: Ju thoni sa është borxhi. Por, sa është investimi në këto 11 vite? Sa ka kursyer bashkia? Minimalisht nga 1 milionë e ca euro çdo vit, 15 milionë euro gjithsej. Pa llogaritur investimin që po bëhet tani dhe pa llogaritur investimin që u bë te fusha në Pyllin e Sodës.
Sokol Kushta: Ka ardhur shkresa. Mund ta dua unë më shumë Sinanin se sa ju. Unë them, anën ligjore duam. Nuk mund të shkruhet…
Ermal Dredha: Nuk e shikoj personale fare. Ekipi i Flamurtarit duhet që të performojë në gusht. Duhet minimalisht që të planifikojmë ne 1 milion euro për ta menaxhuar, që nuk është pak.
Sokol Kushta: Po kush të tha ty… Çfarë të thashë unë që hiq Sinanin dhe ta paguash ti?
Ermal Dredha: Pa mbaruar procesi i aksioneve edhe ne e kemi të pamundur që të parashikojmë fonde, sepse nuk flasim për pak gjë, janë goxha financa.
Sokol Kushta: Unë nuk po them t’ia heqim dhe t’ia paguash. Nga nëntori deri në qershor janë 7 muaj që duhet të kishin dalë. Edhe Orikumi nuk ka dalë. Duhet të kishin dalë në ankand. Unë kam vite që nuk shikoj nga “TRK” dhe “Atlas”. Ja ku e ke shkresën. Nuk kam parë asnjë herë një pasqyrë ekonomike të këtij ekipi të vijë në këshill. Unë nuk them nuk ka bërë dhe t’i marrë me shkresë ato që bën se i takon atij. Çdo vlerësim ekonomik e kryen këshilli. Të kalojë dhe t’i jepet vlera atij zotërisë. Nuk mund të shkruhen këto që administrata po e bën këtë deri në shitje. Ai është ankand. Mund të dalë një kompani edhe më e madhe dhe mund ta blejë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













