Flamurtari fillon përgatitjet për ndeshjen me Elbasanin, ja situata e dy ish-kapitenëve të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2025 | 9:14

Flamurtari fillon përgatitjet për ndeshjen me Elbasanin, ja situata e dy ish-kapitenëve të Partizanit

Pas vetëm tri ditësh pushim, Flamurtari ka rikthyer aktivitetin në qytetin e Vlorës, duke nisur përgatitjet për ndeshjen e parë të sezonit që do të ngrejë siparin e rikthimit të kuqezinjve në elitë pas pesë vitesh mungesë. 

FLAMURTARI

Pas tri javësh fazë përgatitore në Bolu të Turqisë, skuadra ka zhvendosur stërvitjet në fushën sportive në Pyllin e Sodës në Vlorë, ku prej të hënës po zhvillon seanca intensive nën drejtimin e trajnerit Karlos Garcia. E premtja shënoi udhëtimin e gjatë nga Turqia drejt Vlorës, ndërsa futbollistët përfituan vetëm fundjavën për pushim, me mundësi edhe për disa momente relaksi në plazh.

Sot ishte dita e dytë e përgatitjeve në Vlorë dhe skuadra po merr ngarkesë maksimale, duke kryer dy seanca stërvitore në ditë, ku fokusi kryesor është tek aspektet fizike dhe taktike. Aktualisht, skuadra duket e plotë dhe pa probleme serioze nga dëmtimet. I vetmi i dëmtuar mbetet Idriz Batha, i cili me shumë mundësi do të mungojë gjatë dhe nuk do të jetë gati për nisjen e kampionatit. E ardhmja e tij mbetet ende e paqartë. Nga ana tjetër, Valentino Murataj ka punuar intensivisht gjatë fazës përgatitore në Turqi për të rikuperuar pas dëmtimit të sezonit të kaluar. Ish-kapiteni i Partizanit është duke treguar seriozitet të lartë në këto ditë të para të rikthimit në Vlorë.

Investimi në stadium

LLAMPAT

Stadiumi vijon të jetë në proces transformimi, me synimin për të rinovuar jo vetëm pjesën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Pritet që fasada të pësojë ndryshime të dukshme dhe do të rilyhet plotësisht. Po ashtu, ka nisur puna për heqjen e ndriçimit të vjetër të stadiumit, që do të zëvendësohet me ndriçim LED, një investim totalisht i realizuar nga klubi, që synon të përmirësojë infrastrukturën për tifozët dhe futbollistët.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL