Flamurtar ndërkombëtar, 3 kuqezinj me përfaqësueset gjatë pauzës
Flamurtar ndërkombëtar. Kuqezinjtë që flasin në shumë gjuhë dhe përfaqësojnë shumë flamuj. Flamurtari i këtij sezoni po përjeton një situatë paradoksale: rezultatet mungojnë, por klubi po ndërtohet mbi një projekt që në letër është një nga më ambiciozët në futbollin shqiptar.

Ndërsa dinamika sportive kërkon kohën e vet, dita-ditës vijnë sinjale pozitive nga jashtë fushe, aty ku futbollistët kuqezi po vlerësohen nga kombëtaret respektive të vendeve të tyre.
THIRRJET NDËRKOMBËTARE – Flamurtari përfaqësohet në tre kombëtare. Në kohën kur tifozët kërkojnë rezultate, klubi merr një tjetër lloj vlerësimi. Tri futbollistë të Flamurtarit janë thirrur për ndeshjet e përfaqësueseve. Igor Aleksovski, portieri titullar dhe një nga figurat më të qëndrueshme të ekipit, është grumbulluar nga Maqedonia e Veriut, një përfaqësuese që konkurron në arenën europiane me objektiva serioze. Joao Urbáez, është thirrur nga Republika Domenikane, duke e bërë Flamurtarin pjesë të skenës futbollistike të Amerikës Qendrore dhe Karaibeve.
Eric Veiga, i njohur për lojën e qetë dhe vendosmëri në linjën mbrojtëse, është ftuar nga Luksemburgu, një përfaqësuese në rritje që vitet e fundit ka surprizuar futbollin europian. Këto thirrje janë një tregues se, pavarësisht vështirësive të momentit, Flamurtari ka në përbërjen e tij lojtarë me cilësi dhe me impakt ndërkombëtar. Optimizmi në kampin vlonjat është ende i gjallë, me bindjen se grupi ka potencial për t’u kthyer në shina dhe për t’i dhënë Vlorës një sezon ndryshe.
MOZAIKU KUQEZI I 12 KOMBEVE – Flamurtari shumëkombësh. Flamurtari i sotëm është një prej më të larmishmeve në vend. Në total, 12 kombësi dhe 8 gjuhë të ndryshme bashkohen çdo ditë në dhomat e zhveshjes së skuadrës, duke e bërë ekipin një mozaik kulturor unik. Kombësitë e përfaqësuara përfshijnë: Maqedoni e Veriut, Itali, Spanjë, Nigeri, Luksemburg, Paraguaji, Greqi, Belgjikë, Francë dhe Shqipëri, së bashku me kombësi të tjera që shtojnë vlerë dhe diversitet. Ky është një transformim rrënjësor i modelit të vjetër të Flamurtarit, i cili dikur mbështetej kryesisht te lojtarë vendas dhe te shkolla vlonjate e futbollit.
BUXHETI – Flamurtari i super-investimeve. Buxheti i këtij sezoni kap shifrën e 5 milionë eurove, një shifër e pazakontë për realitetin e futbollit shqiptar dhe që e vendos klubin e Vlorës në rangun e investimeve elitare. Ky buxhet i madh ndahet në disa drejtime kryesore. Rinovimi i stadiumit, pjesë e një projekti modernizues që synon t’i japë Vlorës një impiant dinjitoz. Kontratat dhe pagat, të cilat janë ndër më të lartat në ligë.
Trajtimi ushqimor, mjekësor dhe akomodues, përfshirë qiratë e shtëpive për lojtarët e huaj. Krahasuar me sezonin e kaluar, kur Flamurtari në Kategorinë e Parë operonte me një buxhet prej 2 milionë eurosh, rritja është gati trefishe. Atëherë, 1.5 milionë euro shkonin drejtpërdrejt për skuadrën, dhe pas arritjes së objektivit madhor, ngjitjes në Superiore, klubi shpërndau një bonus rekord prej 100 milionë lekësh për futbollistët. Të gjitha këto elementë tregojnë një projekt të qëndrueshëm, serioz dhe të financuar fort, i cili synon jo vetëm mbijetesën në Superiore, por edhe krijimin e një skuadre konkurruese në vite.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













