Fjalimi i parë si trajner i Flamurtarit, Moriero: Kam ardhur për të kthyer buzëqeshjen, do t’ia dalim bashkë
Zbardhet fjalimi i parë i Françesko Moriero për para skuadrës. E ndërsa e mori Flamurtarin në një situatë aspak të mirë, ku vlonjatët janë në vendin e fundit, trajneri italian ka ardhur në Vlorë për të bërë “mrekullinë”.
Në fakt këtë gjë e ka bërë të ditur përpara skuadrës edhe vetë Moriero. Ai u ka thënë lojtarëve se është njeriu i sfidave dhe se e pranoi ofertën e drejtuesve të klubit me mjaft kënaqësi. “E kam pranuar me shumë dëshirë dhe kënaqësi ftesën e drejtuesve të klubit. Falënderoj presidentin për ofertën dhe për besimin që tregoi tek unë për të me rikthyer përsëri në Shqipëri.
Mua më pëlqejnë sfidat dhe kam ardhur këtu për të ndihmuar skuadrën për të kapërcyer këtë situatë të vështirë. Kam bindjen se së bashku do të bëjmë maksimumin tonë për t’i rikthyer këtij klubi dhe tifozëve buzëqeshjen. Jemi ende në fjalët e para dhe kemi kohë për rikuperuar. Unë e di që Flamurtari ka objektiva të mëdha. Të gjithë bashkë do të mund që t´ia dalim. Unë kërkoj nga ju që të më ndiqni dhe të bëjmë të gjithë bashkë maksimumin”, mësohet se është shprehur trajneri Moriero përpara lojtarëve.
SEANCAT STËRVITORE – Vetëm dy ditë më krye të skuadrës, trajneri italian Françesko Moriero duket se i ka idetë e qarta. Puna është përqendruar në dy fronte. Duket se trajneri i ri ka evidentuar se skuadra ka rënie psikologjike për shkak të situatës ku gjendet dhe klasifikimit. Në këtë aspekt nuk ka vonuar që të marrë masa në drejtim të anës psikologjike. Moriero po bënë edhe psikologun për të rikthyer qetësinë dhe besimin tek lojtarët. Trajneri italian e ka nisur me “zbor” edhe trajningun. Nga vëzhgimi i gazetës gjatë seancës së dytë stërvitore të skuadrës me në krye Françesko Moriero vihet re se trajneri italian po punon më shumë gjatë këtyre orëve të para me anën fizike të skuadrës. Në një farë mënyrë po bënë edhe përgatitësin atletik duke i qëndruar në kokë futbollistëve. Ku kërkon me shumë vrapime dhe ushtrime fizike. Mësohet se Françesko Moriero ka shprehur rezerva për anën fizike të skuadrës dhe ka evidentuar se ka më shumë për t’u bërë në këtë drejtim.
SITUATA – Flamurtari nuk do të jetë i plotë në ndeshjen me Partizanin. Mungesë e sigurt është Veiga, i cili la në baltë vlonjatët në takimin me Dinamon. Ai doli me kartonë të kuq në minutën e 31-të, teksa sapo ishte futur në lojë, teksa bëri një ndërhyrje të gabuar ndaj Guindos që po avanconte i vetëm drejt portës. Lajm i mirë është se shkodrani Denis Pjeshka këtë javë ka nisur që të stërvitet me grupin, dhe që mesa duket po e kalon dëmtimin. Edhe Idriz Batha po ashtu. Ndërsa pritet që të shikohet se si do të rrjedhin ngjarjet në vijim. I dëmtuar nga ndeshja me Dinamon doli Çantakias, për të cilin pritet të vendoset javën që vjen.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













