Fjalim motivues para lojtarëve të Partizanit, Gega e rinis përkrah Demit duke u treguar jetën si pjesë e të kuqve. Ja çfarë ndodhi sot në dhomën e zhveshjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2025 | 23:55

Fjalim motivues para lojtarëve të Partizanit, Gega e rinis përkrah Demit duke u treguar jetën si pjesë e të kuqve. Ja çfarë ndodhi sot në dhomën e zhveshjeve

Rikthimi i Skënder Gegës te Partizani erdhi papritur, ashtu si edhe zyrtarizimi i tij i parë te “demat” në qershorin e vitit 2018. E përbashkëta e vetme e dy rrugëtimeve është besimi për të ardhmen.

demi gega

Pas derbit të humbur me Dinamon dhe vetëm dy ditë larg ndeshjes me Laçin, të kuqtë gjenden në situatën më të vështirë të sezonit. Gega, tashmë me 61 vite mbi supe, është në luftë me kohën. Partizani do të përballet me shtatë finale brenda një muaji, për Kupën dhe Superioren.

Ky emërim solli befasi për të gjithë. Vetë presidenti i Partizanit, Gazment Demi, ishte i pranishëm në dhomën e zhveshjes gjatë prezantimit të trajnerit të ri para ekipit. Alban Hoxha, Gjelbrim Taipi dhe Altin Bytyçi janë njohjet e vjetra të Gegës. Dy të fundit i kishte pjesë të ekipit, kur qëndronte në stolin Kukësi.

Lojtarët e tjerë dëgjuan zërin e Gegës për herë të parë si trajner i tyre. Nuk mund të mungonin fjalët motivuese të tij pas rikthimit në “shtëpi”.

WhatsApp Image 2025-03-28 at 8.33.41 PM

Trajneri i lindur në Tropojë foli ndër të tjera për rrugëtimin si lojtar i Partizanit dhe më pas për eksperiencën si trajner i “demave”. Titulli kampion dhe pesha e fanellës mbetën si emërues i përbashkët. Një tjetër avantazh që ceku ishin shtëpia dhe kushtet, që Partizanit i mungonin më parë. Fjalë motivuese, për të ndezur shpresën në ndeshjet e mbetura.

Te Partizani tashmë me flokët e thinjur, pas thuajse 6 vitesh nga ndeshja e fundit, Gega është thirrur në apel për të shpëtuar sezonin. Nuk u zyrtarizua me fletën e kontratës përpara sepse nuk ndodh kështu me djemtë e shtëpisë. Sfidën e parë delikate për të mbyllur sezonin e ka pranuar. Elbasani qëndron vetëm 4 pikë prapa për zonën Final Four, ndërsa ky fakt mund të jetë avantazhi i vetëm që Gega gjen nga ekipi aktualisht…

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL