Finale me aromë historie, Egnatia dhe Dinamo rikthejnë “betejën e madhe” për Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2026 | 9:29

Finale me aromë historie, Egnatia dhe Dinamo rikthejnë “betejën e madhe” për Kupën e Shqipërisë

Finalja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2025/2026 sjell një përballje që ngjall menjëherë kujtime dhe emocione.

EGNATIA-DINAMO

Egnatia dhe Dinamo do të diskutojnë trofeun në një duel që praktikisht është kopje e finales së sezonit të kaluar. Dinamo është skuadra e dytë që siguroi finalen, duke kaluar me shumë karakter gjysmëfinalen ndaj Vllaznia. Në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Loro Boriçi”, blutë triumfuan minimalisht 0- 1, falë golit vendimtar të Dejvi Bregu në minutën e 77-të, një gol që vulosi kualifikimin e shumëpritur. Takimi i parë mes dy skuadrave kishte përfunduar në barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur deri në sfidën e kthimit.

Por në momentet vendimtare, ekipi i drejtuar nga Ilir Daja tregoi eksperiencë dhe qetësi për të siguruar biletën drejt finales. Finalja e madhe do të luhet më 13 maj, në stadiumin modern “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00, në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese. Në aspektin historik, Dinamo mbetet një nga klubet më të suksesshme të këtij kompeticioni me 14 trofe të fituar, ndërsa Egnatia ka shkruar historinë e saj të re me 2 Kupa të Shqipërisë dhe rritje të ndjeshme në vitet e fundit.

Për më tepër, kjo përballje nuk është e panjohur për dy ekipet. Sezonin e kaluar, Dinamo ka arritur të triumfojë ndaj Egnatias si në finalen e Kupës, ashtu edhe në Superkupën e Shqipërisë, duke krijuar një histori rivaliteti që tani rikthehet në skenën më të madhe të kompeticionit.

Tani, gjithçka është gati. Një trofe, dy skuadra, dhe një finale që premton spektakël, emocione dhe një tjetër faqe të shkruar në historinë e futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL