Festa e 80-vjetorit, presidenti i Partizanit kërkon “Ligjin e Sponsorizimeve”: Premtimi u mbajt, politika të ndihmojë sportin
Në eventin e organizuar nga klubi i Partizanit për 80- vjetorin e krijimit të klubit, nuk mund të mungonte edhe fjala e presidentit Gazment Demi.

Numri një i klubit kryeqytetas në fjalën e tij, theksoi premtimin e mbajtur para 10-vitesh për kompleksin, të cilin klubi e gëzon sot e kësaj dite. Presidenti, theksoi se në vijim, kompleksi do të zgjerohet edhe më tej duke u bërë më i plotë pasi qeveria aprovoi së fundmi edhe mundësinë për t’u zgjeruar, ndërsa Demi nuk harroi t’i bënte një thirrje politikës për sa i takon Ligjit të Sponosirizimeve. Demi, shtoi se dikur skuadrat në Kosovë ishin pas atyre të Shqipërisë, mirëpo tani kjo ka ndryshuar pasi në Kosovë kanë më shumë buxhet dhe po i prekin vazhdimisht kompeticionet europiane, ndryshe nga ekipet shqiptare që pas Skënderbeut, nuk kanë mundur të kualifikohen në fazën e grupeve.
“Festojmë 80 vite krenari për një klub legjend të futbollit shqiptar, një emër që është ndërtuar nga një brez i tërë trajnerësh sportistësh e të gjithë ata që kanë kontribuar. Para 10 vitesh dhashë premtimin se do të kishim një stadium, dhe ky premtim është mbajtur duke u kthyer në realitet. Me ndihmën e qeverisë shqiptare, ato karakatinat që patë gjatë rrugës kur erdhët këtu do të bëhen terrene sportive për të ardhur në ndihmë të brezave të rinj. Dua të evidentoj ndihmën e familjes, si dhe partneritetin e Federates dhe qeverisë. Akademia është kthyer në një burim, këto shkolla akademia për të rinjtë nuk bëhen vetëm nga ne bizenësëmet, por kjo kërkon ndihmën e politikanëve ku vlen të theksohet ligji i sponsorizimeve. Edhe Kosova është para nesh. I bëj thirrje kryeministrit ta bëjë premtimin realitet, ne kemi qenë para Kosovës dhe tani jemi pas. Prej kohës së Skënderbeut të Korçës, asnjë klub nuk ka dalë në Europë ndërsa në Kosovë po dalin shpesh sepse kanë më shumë buxhet. Ju përshendes dhe faleminderit për pjesëmarrjen”, tha presidenti Demi.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













