Faza e tretë në Kategorinë e Parë “ndez” garën, pretendentët përballë mbijetesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2026 | 8:59

Faza e tretë në Kategorinë e Parë “ndez” garën, pretendentët përballë mbijetesës

Java e 23-të e kampionatit të Kategorisë së Parë rezervon emocione të forta dhe përballje me peshë të madhe për fatet e sezonit. Kjo javë do të luhet e ndarë në dy ditë, më 21-22 shkurt, me tre takime të shtunën dhe tre të tjera të dielën.kategoria-e-pare-1

Me nisjen e fazës së tretë, skuadrat hyjnë në sprintin final drejt objektivave, qoftë për ngjitjen në elitë, sigurimin e zonës “play-off” apo mbijetesën. E shtuna sjell përballje skajesh në renditje, ku tre skuadrat që synojnë ngjitjen në Superiore do të presin në shtëpi ekipe që luftojnë për të shmangur rënien. Ndërsa e diela vendos përballë skuadrat e mesit të tabelës, ku gara për “play-off” dhe distancimi nga zona e rrezikut pritet të jetë e fortë. Java e 23-të pritet të japë sinjale të qarta për ecurinë e fazës së tretë. A do të ruajnë ritmin pretendentët? Apo fundi i tabelës do të nisë rebelimin? Përgjigjet vijnë këtë fundjavë.

Pogradeci – Lushnja (e shtunë, 13:30) Pogradeci, aktualisht në vendin e tretë me 43 pikë, vijon të mbetet në ndjekje të dyshes kryesuese. Skuadra liqenore ka treguar stabilitet gjatë sezonit dhe në shtëpi synon të mos falë asnjë pikë përballë një Lushnje që lufton për mbijetesë. Miqtë renditen në vendin e 10-të me 20 pikë dhe çdo pikë në këtë fazë ka peshë të madhe. Diferenca në cilësi dhe objektiva është e qartë, por presioni është më i madh për vendasit që nuk duan të humbasin hapin me kreun.

Laçi – Luftëtari (e shtunë, 13:30) Laçi i vendit të dytë me 48 pikë është një nga pretendentët kryesorë për ngjitje. Kurbinasit kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit (vetëm 13 gola të pësuar) dhe në këtë fazë çdo hap fals mund të kushtojë shumë. Përballë do të kenë Luftëtarin, që me 19 pikë ndodhet në zonën e rrezikut. Gjirokastritët kanë nevojë urgjente për pikë, por transferta në Laç është ndër më të vështirat e sezonit.

Skënderbeu – Kukësi (e shtunë, 16:30) Kryesuesit e Skënderbeut me 51 pikë e nisin fazën e tretë si favoritë kryesorë për rikthimin në Superiore. Korçarët kanë sulmin më të mirë (41 gola) dhe një bilanc solid në shtëpi. Kukësi, në vendin e fundit me 15 pikë, përballet me një sfidë tepër të vështirë. Verilindorët kanë nevojë për një kthesë të menjëhershme nëse duan të mbajnë gjallë shpresat e mbijetesës.

Kastrioti – Apolonia (e diel, 13:30, në Vorë) Kastrioti dhe Apolonia ndajnë objektiva të ngjashëm, largimin nga zona e rrezikut dhe afrimin me “play-off”. Krutanët kanë 30 pikë dhe kërkojnë vazhdimësi, ndërsa fierakët me 24 pikë janë vetëm pak hapa larg zonës së ftohtë. Një duel i drejtpërdrejtë që mund të ndikojë ndjeshëm në renditjen e mesit të tabelës.

Burreli – Korabi (e diel, 13:30) Burreli dhe Korabi janë dy skuadra që ndodhen pranë njëra-tjetrës në renditje. Matjanët kanë 30 pikë, ndërsa dibranët 24. Për Korabin, forma e golashënuesit Taulant Marku (13 gola) mbetet arma kryesore, ndërsa Burreli mbështetet në kompaktësinë në fushën e vet. Një ndeshje e ekuilibruar, ku një fitore mund të ndryshojë ndjeshëm objektivat.

Iliria – Besa (e diel, 13:30) Iliria me 29 pikë pret Besën që ka 25. Diferencat janë të vogla dhe gara për “play-off” mbetet e hapur. Të dyja skuadrat kanë treguar luhatje gjatë sezonit, ndaj kjo përballje mund të konsiderohet si një “finale e vogël” për vazhdimësinë.8

PANORAMASPORT.AL